Dorjan Troplini dhe Markel Shtylla janë dy të rinjtë e tjerë që janë shpallur në kërkim për plagosjen e ndodhur pasditen e djeshme në zyrat e Partisë Demokratike në Kavajë.
Këta dy shtetas, sipas burimeve, kanë qenë të parët që kanë nisur sherrin me sekretarin e PD Bledar Okshtuni, duke hyrë brenda zyrave me qëllim dhunimin e 27 vjeçarit. Pasi e kanë rrahur, këta shtetas bashkë me autorin e dyshuar të shpallur në kërkim dje, Ndriçim Jonuzi (Tahiri), e kanë qëlluar me armë.
Dyshohet se ka qenë pikërisht Ndriçim Jonuzi (Tahiri) personi që ka qëlluar me armë zjarri brenda zyrave të PD në Kavajë duke plagosur në këmbë 27 vjeçarin Bledar Okshtuni.
Dy të shpallurti në kërkim, Markel Shtylla është Drejtor i Policisë Bashkiake të Kavajës, kurse Dorian Troplini është punonjës i Policisë Bashkiake.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 19.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, dhe punohet për kapjen e shtetasve në kërkim N. T(J), 45 vjeç, D. T., 29 vjeç, dhe M. Sh., 29 vjeç, sepse në lagjen nr.5 Kavajë, në një zyre elektorale të një subjekti politik, shtetasi N. T(J) ka plagosur në këmbë me armë zjarri pistoletë shtetasin B. O., 27 vjeç, ndërsa shtetasit D. T dhe M. Sh., e kanë goditur me grushta. Shtetasi B. O., ndodhet në spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën.
