Hapësire reklamuese

Aktualitet

Motoçikletat e konfiskuara nga krimi i jepen Policisë së Shtetit! Skënder Hita: Ajo që dikur u është marrë qytetarëve me paligjshmëri, sot u kthehet në formën e sigurisë

Shkruar nga Newsbomb
Motoçikletat e konfiskuara nga krimi i jepen Policisë së
Skender Hita

Policisë së Shtetit iu shtuan sot  dhjetëra motoçikleta të reja, të me pasuritë e konfiskuara nga krimi.

Të pranishëm në këtë aktivitet qenë  Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, përfaqësues nga Policia e Shtetit, përfshirë këtu Drejtuesin Madhor Skënder Hita dhe Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Skënder Hita e ka konsideruar këtë investim me “simbolike te fortë dhe efektivitet të lartë në terren”.

“Ky është mesazhi më i qartë i vendosmërisë sonë: ajo që dikur u është marrë qytetarëve me paligjshmëri, sot u kthehet atyre në formën e sigurisë, rendit dhe mbrojtjes së jetës. Pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga krimi i organizuar po kthehen në instrumente të fuqishme në duart e ligjit, për t’u shërbyer më mirë qytetarëve”, u shpreh ai ndër të tjera.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita:

Sot nuk jemi mbledhur thjesht për një aktivitet ceremonial apo për të prezantuar logjistikën e radhës, por për të prezantuar një investim me simbolikë të fortë dhe efektivitet të lartë në terren, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj komunitetit.

Blerja e 23 motomjeteve me fondet e përfituara nga pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara, me origjinë nga veprimtari kriminale, do t’i shërbejë Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Policisë Rrugore për ta përmbushur edhe më mirë detyrën e tyre të përditshme.

Në një realitet ku ritmi i ngjarjeve dhe fluksi i lartë i qarkullimit rrugor kërkojnë ndërhyrje brenda sekondash, mjetet e shpejta dhe të manovrueshme janë një domosdoshmëri operacionale. Ato na japin mundësinë të fitojmë kohë, të jemi më pranë qytetarit në çdo emergjencë, të parandalojmë ngjarjet kriminale në kohë dhe të garantojmë kontroll të plotë mbi territorin.

Ky investim dëshmon mbështetjen e palëkundur të Qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme për Policinë e Shtetit. Kjo mbështetje po përkthehet çdo ditë në projekte konkrete dhe të prekshme, duke rritur kapacitetet tona logjistike dhe operacionale në mbrojtje të ligjit.

Shpreh mirënjohjen time për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, duke theksuar se bashkëpunimi ynë është modeli më i mirë i një fronti të përbashkët kundër paligjshmërisë.

Vetëm për periudhën 2024–2026, përmes kësaj agjencie janë mundësuar financime me vlerë rreth 4.7 milionë euro. Këto nuk janë thjesht shifra, por investime jetike në pajisje dhe në infrastrukturën tonë kritike.

Përmes këtyre fondeve kemi fuqizuar Sektorin për Hetimin e Narkotikëve, Forcën e Posaçme Operacionale dhe kemi rritur sigurinë në kufi me sistemet e-Gate në Durrës dhe Sarandë.

Kemi investuar në automjete, si dhe në mjete e softuerë të teknologjisë së fundit për luftën kundër krimit kibernetik, ndërsa jemi në proces të blerjes së pajisjeve të specializuara “shihedhëse”.

Ky është mesazhi më i qartë i vendosmërisë sonë: ajo që dikur u është marrë qytetarëve me paligjshmëri, sot u kthehet atyre në formën e sigurisë, rendit dhe mbrojtjes së jetës. Pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga krimi i organizuar po kthehen në instrumente të fuqishme në duart e ligjit, për t’u shërbyer më mirë qytetarëve.

Të nderuar kolegë në të gjithë vendin!

Uniforma dhe misioni ynë lartësohen nga besimi i qytetarëve, si edhe nga angazhimi, përkushtimi dhe profesionalizmi juaj në terren.

Dua t’ju shoh në çdo rrugë e në çdo lagje, për të parandaluar ngjarjet kriminale, për të ndëshkuar shkelësit e ligjit, për të garantuar rendin dhe sigurinë në çdo cep të vendit dhe për të qenë sa më pranë qytetarëve, në shërbim dhe në ndihmë të tyre.

Jemi në kulmin e sezonit turistik dhe këto motomjete janë një ndihmë e vyer për shërbimet në terren. Megjithatë, ndihma më e madhe dhe garancia e vërtetë e suksesit tonë mbeten integriteti, profesionalizmi dhe përkushtimi juaj në kryerjen e detyrës. Ndaj, përmbusheni këtë mision të shenjtë me përgjegjësi të lartë.

Në mbyllje, dua t’u drejtohem qytetarëve që besojnë te rregulli dhe ligji.

Mbështetja dhe besimi juaj janë busulla jonë e orientimit, sepse çdo rezultat që arrijmë është fryt i këtij bashkëpunimi. Ju siguroj se çdo përpjekje dhe çdo sakrificë e punonjësve të Policisë së Shtetit ka dhe do të ketë gjithmonë vetëm një qëllim: shërbimin ndaj jush dhe Atdheut.

Ju faleminderit!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese