Qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama ak firmosur një akt normativ për financimin e pjesshëm të koncertit të këngëtarit Kanye West, në vlerën e 4 miliardë lekëve të vjetra apo rreth 4.2 milionë euro.
Zbardhja e këtij vendimi ka nxitur reagime të shumta, kryesisht nga kritikët e Edi Ramës, të cilët thonë se financimi i këtij koncerti bëhet si një antimiting për revoltën qytetare që ka shpërthyer dhe vazhdon prej 37 ditësh nën zyrën e tij.
Deputeti demokrat Belind Këlliçi e cilëson atë një skandal dhe sipas tij, një arsye më shumë për të protestuar kundër korrupsionit dhe arrogancës së Kryeministrit.
"Edi Rama ka kohë që e shet koncertin e Kaney West si të vetin. Si të ishte ai pas këtij organizimi. Ka kohë që e shet si antimiting përballë revoltave kundër tij që kanë pushtuar sheshet kudo. Po kërkon të thotë se njerëzit shkojnë në koncert dhe me këtë rast ata janë të lumtur dhe të kenaqur me qeverisjen e tij.
4.2 mln euro që të duket mirë Edi Rama. Ky koncert futet që tani në radhën e aferave dhe zullumeve që ai bën me taksat e qytetarëve.
Gjysma e pensionistëve marrin 150 euro në muaj, spitalet nuk kanë shtretër, ilaçet mungojnë në mënyrë periodike, por Kryeministri e zgjidh qesen për këngë e muzikë. Thjesht e vetëm që ata që do shkojnë për Kaney West ti paraqesë si mbështetës të tij. Turp", shkruan ai.
