Policia e Tiranës ka identifikuar autorët e sulmit ndaj Komisariatit nr.3, ku gjatë protestës së zhvilluar më 4 korrik u thyen xhamat e sallës së pritjes dhe dera e godinës.
Policia bën me dije se ka arrestuar një 33-vjeçar në lidhje me ngjarjen, ndërsa ka proceduar penalisht 7 persona të tjerë. Po ashtu, 4 persona janë shpallur në kërkim policor.
Ata do të akuzohen për veprat penale "Thirrje publike për veprime të dhunshme", "Shkatërrimi i pronës", "Goditja për shkak të detyrës", "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë", "Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë", "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike", "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".
Ndërsa në njoftim theksohet se vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në aktet e dhunshme.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë veprimet hetimore për tubimin e zhvilluar më datë 04.07.2026. Arrestohet 1 shtetas, procedohen penalisht 7 shtetas dhe shpallen në kërkim 4 shtetas.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 04.07.2026, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, gjatë të cilit u kryen veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe godinës së Komisariatit, u identifikuan 12 shtetas të dyshuar të përfshirë në këto veprime.
Në vijim të veprimeve procedurale:
- u ndalua me iniciativë shtetasi E. H., 33 vjeç;
- u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit K. M., V. K., E. L., Sh. B., V. D., E. N. dhe B. K.;
- u shpallën në kërkim 4 shtetas, inicialet e të cilëve nuk bëhen të ditura, për shkak se hetimet vijojnë.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në aktet e dhunshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale "Thirrje publike për veprime të dhunshme", "Shkatërrimi i pronës", "Goditja për shkak të detyrës", "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë", "Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë", "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike", "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".
