Pamjet e publikuara dy ditë më parë, ku tre vajza të mitura dhunojnë në mënyrë brutale bashkëmoshataren e tyre, vijojnë të shkaktojnë indinjatë të fortë në opinionin publik. Video e filmuar me telefon celular dhe e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ka rikthyer edhe një herë në vëmendje fenomenin shqetësues të dhunës mes të miturve.
Teksa pamjet janë bërë virale, fotot e tre të rejave që dhunuan vajzën tjetër janë duke u shpërndarë masivisht, ndërkohë që menjëherë bien në sy tatuazhet e dukshme në krahët e tyre.
Edhe pse bëhet fjalë për të mitura, ato shfaqen me tatuazhe të mëdha, ndërsa veçanërisht tërheq vëmendjen ai në krahun e vajzës që në video shihet duke e tërhequr me forcë për flokësh bashkëmoshataren e saj. Në krahun e saj dallohet qartë një tatuazh me imazhin e një arme automatike të tipit AK-47.
Pamjet kanë ngritur pikëpyetje jo vetëm për dhunën e ushtruar ndaj të miturës, por edhe për faktin se vajza të kësaj moshe mbajnë tatuazhe të tilla.
Ndërkohë që deri më këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit, ka qenë gazetarja Jonida Mukja e cila ka bërë me dije se episodi nuk është i ditëve të fundit por ka ndodhur rreth një muaj më parë. Sipas saj njëra prej vajzave është duke marrë trajtim mjekësor, ndërkohë që një tjetër ndodhet në masë sigurie.
Për më shumë informacione pritet një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit.

