Hapësire reklamuese

Politikë

ZBARDHET axhenda e Edi Ramës në Ankara! I shoqëruar nga Linda Rama, kryeministri shqiptar do të zhvillojë takime kokë më kokë me liderët botërorë (E PLOTË)

Shkruar nga Newsbomb
ZBARDHET axhenda e Edi Ramës në Ankara! I shoqëruar nga Linda
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, pritet të mbërrijë këtë të martë, në orën 14:00 në aeroportin e Ankarasë, për t'iu bashkuar punimeve të Samitit të NATO-s ku janë mbledhur liderët e vendeve aleate për të diskutuar mbi sigurinë globale, mbrojtjen dhe sfidat e reja gjeopolitike.

Newsbomb ka mësuar axhendën e plotë të kreut të qeverisë, e cila përfshin pjesëmarrje në aktivitetet zyrtare të samitit, intervista për mediat ndërkombëtare si edhe një sërë takimesh dypalëshe me liderë të rëndësishëm të rajonit dhe më gjerë.

Pas mbërritjes në Ankara dhe transferimit drejt qytetit, kryeministri Rama pritet të marrë pjesë në nënshkrimin e Deklaratës së Themelimit të “Defence, Security and Resilience Bank (DSRB)”, një nismë e re që synon të mbështesë investimet në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë.

Në mbrëmje ai do t'i bashkohet ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes që organizohet nga Presidenti i Turqisë për liderët pjesëmarrës në samit.

Dita e dytë e samitit, më 8 korrik do të jetë e mbushur me takime të nivelit të lartë. Rama do të zhvillojë fillimisht një deklaratë për mediat në hyrje të samitit, përpara se të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Më pas ai do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes së liderëve nga presidenti Erdogan dhe Rutte si edhe në mbledhjen plenare të Aleancës në nivel krerësh shtetesh dhe qeverish.

Axhenda e pasdites parashikon një seri takimesh dypalëshe me liderë të rëndësishëm. Kryeministri shqiptar do të zhvillojë bisedime me kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansa, me kryeministrin e Hungarisë, Peter Magyar si edhe një takim kokë më kokë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Në program është parashikuar edhe një takim dypalësh me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.

Po ashtu Newsbomb mëson se ditën e enjte, kryeministri Rama do të zhvillojë një takim bilateral me presidentin Erdogan në Pallatin Presidencial në Ankara.

Takimi mes Ramës dhe Erdoganit pritet të fokusohet në forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Turqisë, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, sigurisë, ekonomisë dhe investimeve, si edhe zhvillimet më të fundit në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese