Kreu i PD-së, Sali Berisha, është paraqitur këtë të hënë në SPAK, në zbatim të masës së vendosur nga GJKKO-ja, në kuadër të hetimeve për dosjen "Partizani".
Berisha u pyet nga gazetarët nëse e kishte uruar kryeministrin Edi Rama për ditëlindjen e tij. Rama festoi të shtunën 62-vjetorin e lindjes, ndërsa kryedemokrati e shmangu pyetjen, duke thënë se urimin më të bukur kryeministrit ia bënë të rinjtë në protestë.
"Urimin më të shkëlqyer ia bëri protesta rinore, qytetare e 4 korrikut, e cila me madhështinë e saj përsëriti 20 Shkurtin e vitit 1991. Ajo ishte një protestë me kreativitetin më madhështor, më të jashtëzakonshëm që është parë ndonjëherë në Tiranë. Dhe ata ia bënë të gjitha urimet që meritonte", u shpreh Berisha.
Sa i përket kërkesës së kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, për zgjatjen e mandateve të prokurorëve të SPAK-ut, Berisha sërish e shmangu përgjigjen dhe vijoi me akuzat ndaj ish-ministrit, duke pretenduar se ai ka marrë dhuratë një çantë me vlerë 600 mijë euro.
Kreu i Partisë Demokratike tha se Manja është i gatshëm të bëjë çdo kompromis për t'i shpëtuar dosjes së tij, pasi, sipas Berishës, rrezikon nga 8 deri në 12 vite burg.
"Tani, lidhur me Ulsiun, që mund t'i vesh çdo emër. Ulsiu është peng i dosjes, e cila në regjistrime nxjerr se Ulsiu nga çunat e Londrës ka marrë 600 mijë euro. Dhe, përveç kësaj, ka kërkuar edhe një çantë Louis Vuitton. Kur i thotë ai në telefon: 'Po këtë çantën Louis Vuitton për kë e ke?', ai përgjigjet: 'E kam për bashkëshorten'. Jo, jo, i thotë, nuk i bën çanta Louis Vuitton asaj, e ke për tjetërkënd, se ia dinin edhe lidhjet Ulsiut, a më kupto apo jo? Pra, Ulsiu, në momentin që të thirret, i ka të paktën 8 deri në 12 vite burg. Prandaj ai është i gatshëm të bëjë çdo kompromis, vetëm t'i shpëtojë kësaj dosjeje, së cilës nuk i shpëton kurrë. Përveç kësaj, ky paska familjarë, sipas të dhënave të mediave, nuk mund ta them me dokumente, të implikuar në afera të ndryshme korruptive. Pra, Ulsiu është një skllav i dosjeve të tij", tha kreu i PD-së.
