Një prej protestuesve që u përmend pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama si person me “precedent të theksuar kriminal”, ka reaguar nga podiumi i protestës së 35-të kombëtare para Kryeministrisë, duke paralajmëruar se do të ngrejë padi ndaj kreut të qeverisë për shpifje.
Bëhet fjalë për Edviol Kullirin, emri i të cilit ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit, pasi Rama publikoi fotografinë e tij në rrjetet sociale, duke renditur disa procedime penale dhe duke e paraqitur si person me precedentë. Kulliri është përfolur gjithashtu si nismëtari i iniciativës për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar.
Në fjalën e mbajtur para protestuesve, Kulliri hodhi poshtë akuzat e kryeministrit, duke i cilësuar ato të pavërteta dhe duke bërë të ditur se do t'i drejtohet drejtësisë.
"Unë jam ai 'krimineli' që më nxori Rama dhe ministrat para disa ditësh me fytyrë, duke më shpikur vepra penale që gjoja i kisha kryer. Do të bëj padi ndaj Ramës", u shpreh ai duke u ndalur më tej edhe te ngritja e Kuvendit Kombëtar Qytetar.
Gjatë fjalës së tij Kulliri theksoi se gjithçka do të dalë nga ky shesh dhe se të gjithë janë nismëtarë.

