Nisma për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar e propozuar nga aktivisti Edviol Kulliri, i njohur ndryshe me nofkën "kryendrituri", mesa duket është duke u përballur me debate mes vetë grupit, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh dhe duke nxjerrë në pah përplasjet mbi mënyrë ne organizimit, përfaqësimit dhe legjitimitetit të strukturës që synon të përfaqësojë qytetarët.
Pas një mbledhje të zhvilluar një ditë më parë, ku siç raportuam morën pjesë mbi 80 persona, grupi nismëtar njoftoi se kishte vendosur të intensifikonte punën ëpr ngritjen e Kuvendit Kombëtar Qytetar. Sipas njoftimit u rikonfirmua gjithashtu qëndrimi se protestuesit nuk do të zhvillojnë negociata me kryeministrin Edi Rama dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij pa kushte.
“Kuvendi i Kombëtar Qytetar ka për qëllim të marrë rolin e përfaqësuesit gjithëpërfshirës të Protestës Kombëtare, por vetëm nëse merr më parë miratimin e mbarë qytetarëve protestues. Theksojmë që pa marrë paraprakisht këtë miratim nuk mund të quhet ende përfaqësues i Protestës Kombëtare.
Qëndrimi unanim dhe i padiskutueshëm i grupit të punës për formimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar është : NUK KA DHE NUK DO TË KETË NEGOCIATA me Edi Ramën.
Grupi i Punës në themel të veprimtarisë së tij ka këto qëndrime, prandaj ka ngjallur frikën dhe revanshin e sistemit të vjetër dhe establishmentit aktual, i cili, me të gjitha mjetet, po lufton ta përçajë, delegjitimojë dhe armiqësojë Grupin e Punës me protestuesit dhe popullin si dhe po investon gjithçka për të ndaluar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar Qytetar.
Ky establishment ka tmerr nga bashkimi i të gjithë shqiptarëve atdhetarë në një tryezë të përbashkët ku do të ulen e bashkëveprojnë mbi 300 persona anti establishment, nga më cilësorët që ka vendi ynë
Ndërkohë puna nga ana jonë po vazhdon me intensitet dhe presioni i politikës së vjetër bashkë me mediat e kapura të saj thjesht po rrit motivimin tonë e të mbarë qytetarëve protestues.
Kuvendi Kombëtar Qytetar është i popullit dhe produkt i protestës qytetare. Ai do të mblidhet me çdo kusht e çdo shqiptar atdhetar do ta ndiejë veten të mirëpërfaqësuar prej tij”, thuhet në njoftimin e Grupit të Punës të Kuvendit Kombëtar Qytetar.
Mirëpo, kush bën pjesë në këtë grup? A janë pjesë nismëtarët e parë të këtij tubimi qytetar, si përshembull Arben Kola, Luçjana Koka apo dhe emra të tjerë të cilët prej fillimit kanë qenë në krye të protestës? Këto janë një sërë pyetjesh që janë duke qarkulluar, ndërkohë që nga njoftimet e publikuara nëpër rrjetet sociale është bërë me dije se Edviol Kulliri është personi i cili hodhi idenë për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar dhe bëri thirrjet publike për ngritjen e tij, si në protestë ashtu dhe në rrjetet sociale.
Sipas platformës së prezantuar, mbi 80 personat e parë që iu përgjigjën fizikisht kësaj ftese u konsideruan grupi fillestar teknik, me detyrën për të organizuar mbledhjen e parë të Kuvendit, ndërkohë që u vu re mungesa e “Gen Z” , me të cilët kjo protestë është identifikuar që në fillim. Organizatorët deklarojnë se më pas ftesës i janë bashkuar mbi 800 persona përmes një grupi në WhatsApp dhe se procesi synon të mbetet i hapur për të gjithë qytetarët.
Megjithatë, komunikimet e brendshme në grupin e WhatsApp tregojnë se nisma është shoqëruar me kundërshtime dhe pikëpyetje të shumta.
Disa pjesëmarrës kanë ngritur shqetësime mbi mënyrën se si është formuar grupi i punës dhe nëse ai ka mandat për të përfaqësuar protestuesit. Në diskutime janë shtruar pyetje lidhur me kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve, mënyrën e marrjes së vendimeve, administrimin e grupit në WhatsApp, transparencën e procesit dhe garancitë për një përfaqësim real të qytetarëve.
Një pjesë e pjesëmarrësve kanë kërkuar gjithashtu sqarime se kush e ka autorizuar grupin për të hartuar platformën dhe kriteret e Kuvendit, ndërsa të tjerë kanë vënë në dyshim nëse një grup prej rreth 80 personash mund të flasë në emër të qindra protestuesve që janë bashkuar më pas.
Nga ana tjetër, mbështetësit e nismës kanë argumentuar se grupi i punës nuk është vetë Kuvendi Kombëtar Qytetar, por një strukturë përgatitore e krijuar për të organizuar procesin.
Sipas tyre, pjesëmarrja ka qenë e hapur për këdo që i është përgjigjur thirrjes publike dhe qëllimi është krijimi i një mekanizmi sa më gjithëpërfshirës. Ata kanë theksuar se emrat dhe procedurat do të bëhen publike dhe se qytetarët do të kenë mundësi të bashkohen ose të votojnë përmes një platforme online.
Pavarësisht këtyre sqarimeve, diskutimet kanë vijuar me tone të forta. Një pjesë e pjesëmarrësve kanë kërkuar që fokusi të mbetet te organizimi i protestës dhe kërkesat politike, ndërsa të tjerë kanë insistuar se ngritja e një strukture që pretendon të përfaqësojë qytetarët nuk mund të ecë përpara pa rregulla të qarta, transparencë të plotë dhe një proces të pranueshëm për të gjithë.
