Deputeti socialist Erion Braçe ka shpërthyer sot në një reagim të ashpër ndaj Policisë Bashkiake Tiranë dhe kompanisë së pastrimit "Eco Tirana", për situatën me mbeturinat në zonën e Selitës.
Fillimisht, ai ka shkuar pranë koshave të mbeturinave, të cilët i denoncoi ditë më parë dhe mbrëmjen e djeshme mesa duket institucionet kishin reaguar dhe e pastruan.
Mirëpo, sot në mëngjes, atje janë hedhur materiale të tjera të ngurta të cilat duhet t'i largojë kompania që ka marrë me koncesion pastrimin e Tiranës, Eco Tirana, ndaj së cilës Erion Braçe ka shpërthyer keq.
"Ose bëni punën, ose shporruni", është shprehur dukshëm i irrituar deputeti socialist. Denoncimi i tij për situatës absurde ka vijuar edhe me Policinë Bashkiake të Tiranës.
"5 minuta që kam unë këtu, përzura unë dy furgona që po vinin për të derdhur këtu. Unë duke ndenjur këtu. Tani, Policia Bashkiake që nuk bën asnjë punë, nuk ka mundësi që të bëjë patrullim, të kalojë këtu?!", dëgjohet të thotë ai.
Erion Braçe ka akuzuar publikisht Policinë Bashkiake edhe për një shqetësim të ngritur tashmë prej vitesh nga qytetarët e Tiranës, se inspektorët e saj masakrojnë me gjoba drejtuesit e mjeteve nëpër lagje, si një plan i padeklaruar për mbushur arkën e bashkisë.
"Apo jeni të angazhuar me atë planin e gjobëvënies nëpër qytet?!", dëgjohet teksa hakërrehet Erion Braçe.
