Mbrëmjen e kësaj të shtune në kryeqytet po zhvillohet protesta e 35-të e të ashtuquajturit “Revolucioni i Flamingove”, së cilës këtë herë i janë bashkuar edhe dhjetëra shqiptarë nga diaspora.
Ndërkohë mes mijëra protestuesve, është parë një fytyrë e njohur, ish-ministri në qeverinë Berisha, Aldo Bumçi është parë të marrë pjesë në protestën e sotme, teksa duket se komunikon me disa protestues.
Bumçi gjatë qeverisjes Berisha shërbeu si Ministër i Drejtësisë nga 2005 deri në 2007, Turizmit nga prilli i 2011-ës deri më prill të 2013-ës , i Punëve të Jashtme, dhe si deputet i Kuvendit. Aktualisht ai vijon të jetë anëtar i PD, por me ndryshimet e fundit në Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-ministri bashkë me figura të tjera nuk u rikandidua.
Kujtojmë se mijëra shqiptarë të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Europës, janë rikthyer në atdhe për t'iu bashkuar tubimit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si edhe largimin e klasës së vjetër politike.
