Një 20 vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi ditën e djeshme ndezi zjarr në tokën në pronësi të babait të tij, në fshatin Drizë, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në territorin e disa fshatrave.
Ndërkohë Kreshik Ymeraj, i cili është Përgjegjës i Mbrojtjes Civile në Fier, është shprehur se flakët kanë “përpirë” 110 hektarë sipërfaqe me shkurre.
“Zjarri pretendohet se nisi pasi një person po digjte barishte në tokën e vetë, por zjarri doli jashtë kontrollit dhe ka djegur rreth 110 hektarë. Gjithashtu ka pasur edhe një dëme te depot e ujësjellësit aty pranë, por fatmirësisht nuk ka ndikuar te furnizimi me uji", tha ai për ReportTV.
Më tej ai i cilësoi të gjitha zonat e qarkut të Fierit si të rrezikuara nga zjarri, teksa u shpreh se fatmirësisht dëme në banesa nuk pati por theksoi se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të evitojnë ndezjen e zjarreve sidomos gjatë kësaj periudhe.
“Në zonat me rrisk të lartë zjarri janë masa paraparke, janë hapur korridore rruge për zjarrfikëset për të menaxhuar zjarret. Të gjitha zonat bregdetare, por edhe zonat malore, zonat pyjore në të gjithë qarkun Fier janë të rrezikuara.
Fatmirësisht nuk pati dëme në banesa, pati vetëm prezencë të flakëve në oborret e banesave. Qytetarët kanë rolin kryesor, duke mos ndezur zjarre gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta. Dëmi më i madh është në ullishte, ende nuk e dimë sa është numri i ullinjve të dëmtuar. Kaluam një situatë problematike, por fatmirësisht nuk patëm dëme në njerëz. Falenderoj të gjithë strukturën që menaxhoi zjarrin”, u shpreh ai.
