Protestuesit që morën pjesë në tubimin e së enjtes së kaluar në Tiranë dhe shkaktuan akte dhune e shkatërruan makinat e Policisë së Shtetit, janë liruar nga qelitë e paraburgimit, me vendim të Gjykatës së Tiranës dhe pretencë të prokurorit Julian Xhengo.
Është pikërisht i njëjti prokuror që pak vite më parë është shkarkuar nga detyra, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cilësuar si i papërshtashëm për të vijuar detyrën, për disa shkaqe, mes tyre edhe lidhja me eksponentë të narkotrafikut.
Mirëpo, një vit pas vendimit të shkarkimit, në 2023, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë dhe përfundimtare e vettingut, vendosi të rikthente prokurorin Julian Xhengo në detyrë si magjistrat "i kulluar".
Është e pakuptueshme sesi është bërë verifikimi i integritetit të këtij prokurori, kur një RAPORT SEKRET i përpiluar nga Policia e Shtetit, e ka kapur atë në përgjime me narkotrafikantë, me të cilët prokurori ka pasur komunikim dhe akuzohet se ka marrë para për të ndikuar vendimmarrjen.
Ai është cilësuar nga KPK-ja dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar si "i papërshtatshëm" për të vijuar detyrën e përfaqësimit të akuzës në emër të shtetit, sepse kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.
Edhe në një nga protestat e fundit qytetare në Tiranë, prokurori Julian Xhengo teksa ka përfaqësuar akuzën në emër të shtetit, ka pranuar vendimin e Gjykatës për të liruar disa nga protestuesit që kanë dhunuar efektivët e Policisë së Shtetit dhe kanë shkatërruar makinat zyrtare përpara Parlamentit.
Janë pikërisht ata "protestues problematikë" nga të cilët janë distancuar edhe vetë organizatorët dhe drejtuesit e protestës që vijon prej 35 ditësh, duke i akuzuar si persona që duan të shkatërrojnë nismën qytetare.
Ndërkohë, prokurori Julian Xhengo ka vendosur që ata të lirohen, duke i hedhur sërish në shesh për të prishur protestën me aktet e tyre të dhunshme, e ndoshta edhe për të përsëritur vandalizmat ndaj institucioneve shtetërore.
PËRGJIMET NË RAPORTIN SEKRET TË POLICISË SË SHTETIT
Në vitin 2015, policia ka arrestuar Armando Gorezin, dënuar në Itali me burgim të përjetshëm për vrasje, trafik droge e shfrytëzim prostitucioni.
Jurgen Molla (pjesë e grupit të akuzuar për trafik ndërkombëtar heroine nga Turqia ) së bashku më Alketin, vëllanë e Armandit kanë investuar shuma të mëdha euro për të manipuluar procesin e ekstradimit nëpërmjet korruptimit të prokurorit Julian Xhengo.
Gjithashtu, Jurgen Molla nëpërmjet lidhjeve në sistemin e burgjeve ka realizuar takime jashtë radhe me Armando Gorezin në burgun e Fushë-Krujës, kalimin për disa kohë në spitalin e burgjeve e pajisjen gjatë gjithë kohës me telefon celular për të komunikuar e koordinuar veprimet me familjarët dhe Jurgen Mollën.
Në funksion të pengimit të ekstradimit të Armandos, Jurgeni. përveç kontakteve të vazhdueshme me vëllanë e Armandos, Alket Gorezin ka realizuar kontakte fizike edhe me prokurorin Julian Xhengo, i cili dyshohet se fillimisht kishte marrë përsipër zgjidhjen e çështjes.
Në faqen 42 të raportit jepen përgjime, ku njëri prej biseduesve, dyshohet të jetë prokurori Julian Xhengo.
6941…
-Mirëdita ! Këtu jam unë.
-O vëlla si të kam ?
-O vëlla unë jam duke të prit te gjykata, te Krimet e Rënda
06720….
-Mirë jam vëlla, ku të takoj se jam deri në 11 duke të prit
…41…
-O vëlla më kthe një përgjigje kur do takohemi se ngela këtu…
Në orën 17 e 24, Jurgenin e merr një femër, e cila i thotë se po pret të takohet me Julin, dyshohet prokurorin, se sot do e takojë patjetër, se i ka dhënë lekët…
