Migen Xhelo, administrator i kompanive "Vlora Estate" dhe "Invest 1 Group Sh.p.k", i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama dhe denoncon, ato që ai i quan veprime abuzive të Administratës Tatimore, që i kanë vendosur një gjobë prej 300 milionë lekësh të vjetra, pasi kanë deklaruar se kanë zbuluar 1 miliardë lekë evazion me shitjen e pronave në Vlorë.
Pak ditë më parë, Administrata Tatimore njoftoi se në kuadër të procesit të evidentimit të bizneseve që kryejnë evazion fiskal, kishte zbuluar në qytetin bregdetar të Vlorës një kompani për shitjen e pronave, që kishte kryer 1 milionë euro evazion.
Migen Xhelo, si drejtues i kompanisë, thotë se kontrolli dhe gjoba 300 milionë lekë të vjetra që i është vendosur nën pretendimin se nuk ka deklaruar shitjet në vlerën e 1 miliardë lekëve (1 milionë euro), janë bazuar vetëm në shpallet në internet.
Mirëpo, administrator i kompanive "Vlora Estate" dhe "Invest 1 Group Sh.p.k" në reagimin e tij, bën edhe një shënim epik, kur thotë se pronat që janë analizuar nga Administrata Tatimore bazuar në shpalljen "SHITUR" në internet, në të vërtetë nuk janë shitur por janë regjistruar të tilla vetëm për efekt marketingu, që klientët të besonin se ai shiste shumë prona.
"Hetimi është bazuar ekskluzivisht në statusin "shitur" të pronave në faqen tonë të internetit (ëebsite). Ky status është një element marketingu dhe informativ për klientët, jo një akt juridik. Ai nuk provon transferimin e pronësisë", shkruan ndër të tjera Migen Xhelo..
Lexoni më poshtë letrën e plotë të Migen Xhelo, administrator i "Vlora Estate" dhe "Invest 1 Group Sh.p.k"
Drejtuar: Z. Edi Rama Edi Rama , Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Për dijeni: Ministria e Financave / Komisioni për Ekonominë dhe Financat /Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve / NAREA - National Albanian Real Estate Association
Subjekt: Denoncim për akte arbitrare, shpërdorim detyre dhe cenim të sigurisë juridike nga organet e Hetimit Tatimor
I nderuar Z. Kryeministër,
Po ju drejtohem përmes kësaj letre publike, si një qytetar, sipërmarrës dhe taksapagues që po përballet me një agresion administrativ të pashoq. Si administrator i "Vlora Estate" dhe "Invest 1 Group Sh.p.k", jam gjithmonë i angazhuar për transparencë fiskale. Megjithatë, ajo që po ndodh aktualisht në institucionet tatimore nën administrimin e Drejtorit gjobaxhi të Hetimit Tatimor Z. Anton Martini, ( emri i të cilit fatkeqësisht është bërë sinonim i skandaleve dhe abuzimeve), tejkalon çdo logjikë ligjore dhe vendos një precedent të rrezikshëm për mjedisin e biznesit në Shqipëri.
Administrata Tatimore ka vendosur ndaj subjektit tim një gjobë me vlerë 300 milionë lekë, bazuar tërësisht mbi supozime spekulative dhe interpretim dashakeqës të të dhënave digjitale.
Argumentet mbi të cilat bazohet ky abuzim janë ligjërisht të pavlefshme për këto arsye:
Mungesa e Bazës Faktike (Proveniencës): Hetimi është bazuar ekskluzivisht në statusin "shitur" të pronave në faqen tonë të internetit (website). Ky status është një element marketingu dhe informativ për klientët, jo një akt juridik. Ai nuk provon transferimin e pronësisë. Sipas Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", neni 77, barra e provës për konstatimin e shmangies tatimore i përket administratës tatimore, e cila duhet të mbështetet në dokumentacion kontabël, kontrata noteriale ose flukse financiare të verifikuara. Një "screenshot" nga një website nuk përbën provë ligjore për një transaksion pasuror.
Shkelja e Parimit të Sigurisë Juridike: Tatimet pretendojnë një evazion prej 1 milion eurosh pa paraqitur asnjë kontratë noteriale, asnjë verifikim pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ASHK) dhe asnjë lëvizje bankare që provon pagesën. Kjo bie ndesh me Kodin e Procedurave Administrative, i cili kërkon që çdo akt administrativ të jetë i bazuar në prova të mirëfillta dhe jo në supozime subjektive.
Kërkesa për "Gjobë para Ankimit": Praktika e imponuar për të paguar gjobën përpara se të provohet e vërteta, është një mekanizëm që shkatërron likuiditetin e bizneseve të ndershme. Kjo nuk është drejtësi, është shantazh administrativ.
Z. Kryeministër, nëse shteti lejon që organet tatimore të vendosin gjoba marramendëse bazuar në algoritme kërkimi të Google (SEO) dhe jo në dokumentacionin e noterisë, atëherë asnjë biznes në këtë vend nuk është i sigurt. Ky është një rast që, për nga natyra e tij paradoksale, duhet të jetë në vëmendjen e mekanizmave të kontrollit ligjor.
Kërkesa ime është e thjeshtë dhe e prerë:
Kërkoj shfuqizimin e menjëhershëm të këtij akti administrativ arbitrar dhe kryerjen e një verifikimi të ligjshëm, transparent dhe të bazuar në prova reale, jo në supozime të shkëputura nga realiteti i tregut imobiliar.
Unë kërkoj drejtësi. Kërkoj që institucionet të mos jenë vegla presioni, por shërbëtorë të ligjit. Besoj se kjo administratë nuk mund dhe nuk duhet të mbrojë individë që, në emër të shtetit, shkatërrojnë ekonominë dhe reputacionin e qytetarëve të ndershëm.
Mbetem në pritje që kjo kërkesë për shqyrtim të trajtohet me seriozitetin që meriton integriteti i një sipërmarrësi dhe qytetari shqiptar.
"Dua të bëj me dije gjithashtu se: çdo veprim hakmarrës ndaj meje, pas denoncimeve të mia të njëpasnjëshme për këtë çështje, do të konsiderohet i mirëdokumentuar. I gjithë procesi, përfshirë denoncimet në SPAK, raportimet në media dhe qëndrimet e mia në Facebook, shërbejnë si dëshmi e plotë për çdo rast të mundshëm presioni."
Migen Xhelo
Administrator, Vlora Estate / Invest 1 Group Sh.p.k
