Është shtyrë sërish seanca gjyqësore që pritej të zhvillohej sot për Fatime Kryemadhi, Ema Çokun dhe Pirro Xhixhos të cilët po hetohen në lidhje me dosjet gjyqësore në ngarkesë të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Shkak për shtyrje e seancës mësohet të jetë bërë mungesa e nënës së Kryemadhit, e cila nuk është paraqitur fare në seancën e sotme, ku pritej të lexohej pretenca përfundimtare.
Po ashtu mësohet se avokati i Fatime Kryemadhit ka kërkuar shtyrjen e seancës.
Për rrjedhojë SPAK ka argumentuar se seanca nuk mund të zhvillohet pa mbrojtjen e Kryemadhit, ndaj u mor vendimi për shtyerje të gjyqit.
Ndërsa bëhet me dije se seanca e radhës do të zhvillohet më 13 korrik në orën 12:00.
Në seancën e mbajtur më 15 qershor Fatime Kryemadhi refuzoi gjykimin e shkurtuar me pretendimin se është e pafajshme dhe SPAK nuk ka prova për pasurinë e saj.
Kjo nuk është hera e parë që shtyhet seanca gjyqësore gjatë të cilës pritet që SPAK të japë pretencën përfundimtare për Fatime Kryemadhin dhe 2 të tjerët. Shkak për shtyrjen e gjyqit janë bërë shpesh mungesa e avokatëve ose personave që po hetohen.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme vendosi më 18 mars që të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të Ilir Metës, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, nënës së kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024. Ish-presidenti po hetohet për tri çështje: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.
