Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryedemokratit Sali Berisha, pas përfundimit të seancës gjyqësore për dosjen "Partizani", është shprehur se kalimi i pronës te familja e tij ka zgjatur katër vite, një procedurë që, sipas tij, ka qenë më e gjata krahasuar me rastet e tjera.
Po ashtu, ai zbuloi se pas dy javësh, në GJKKO do të japin dëshminë për këtë dosje edhe ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri Fatmir Mediu dhe ish-drejtori Urim Muja.
"Nga momenti i parë deri sa ka përfunduar procesi i privatizimit kanë kaluar katër vite. E pyeta ministrin Oketa nëse dinte ndonjë proces privatizimi që ka zgjatur katër vjet. Asnjë. Dhe kjo rrëzon edhe pretendimet e tjera të Prokurorisë, kur tha se institucionet kanë vepruar me shpejtësi. Nuk ka proces që ka zgjatur më shumë se katër vite. Kjo është ajo që rrëzuam sot. Besoj se pas dy javësh do të vijnë ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri Fatmir Mediu dhe ish-drejtori Urim Muja", u shpreh Malltezi.
Sa i përket dëshmisë së kryeministrit Edi Rama, Malltezi tha se kreu i qeverisë është dëshmitar i mbrojtjes dhe do të pyetet kur ta kërkojnë ata.
"Zoti Rama është dëshmitar që e kemi thirrur ne, jo Prokuroria, për fat të keq. Prokuroria ka aty ndërrime destinacioni nga Edi Rama. Ka leje ndërtimi dhe gjyqe që Edi Rama i ka shkaktuar Bashkisë dëm ekonomik, pasi ka shkelur ligjin, dhe Prokuroria as nuk guxon ta pyesë. Por ai do të jetë dëshmitari ynë dhe jo i Prokurorisë, dhe kur t'i vijë radha do ta pyes unë", tha ai.
