Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënënjë prononcim për mediat pas përfundimit të seancës për ish-kompleksin Partizani. Ku ka folur edhe për protestat e këtyre 36 ditëve të fundit, ai gjatë fjalës së tij ka “anashkaluar” ata protestues të cilët kërkojnë burgosjen e tij por ka përshëndetur të gjitha aktet e tjera kundër Ramës, përfshirë këtu edhe arkivolin.
I pyetur nga gazetarët për një urim në lidhje me ditëlindjen e kryeministrit ai u shpreh: “Urimin më të shkëlqyer ia bëri protesta rinore, qytetare më datë 4 korrik, e cila me madhështinë e saj përsëriti 20 shkurtin e vitit 1991”.
Ndërsa thirrjet “Berisha në burg”, kreu demokrat i cilëson si klithma të asaj që e quajti “fake opozitë” . Teksa mohoi edhe të ketë “kapur” protestën apo të ketë ndikuar tek ajo, duke shtuar se e mbështet vetëm jashtë konotacioneve politike.
“Janë disa klithma të opozitës së opozitës, vegël e mirëfilltë e qeverisë, e cila mendon se nuk mund të rritet si opozitë me praninë e Berishës, për faktin e vetëm se janë fake opozitë. Prandaj ata shfrytëzojnë këtë protestë për një parullë të tillë. Por kjo nuk e pengon Berishën dhe PD për të mbështetur fuqishmit protestën, nuk i pengon demokratët për të qenë në protestë. Është veprim gueril i atyre që operojnë për llogari të Ramës.
Kurrë. Qëndrimi ynë ka qenë që në fillim. Asnjë ndërhyrje në punët e saj, nuk është protesta e jonë dhe e drejta dhe morali duhet të ishin të pamëshirshëm ndaj atyre që përpiqen ta manipulojnë atë protestë. Bazuar në 6 kërkesat e tyre, PD mbështet më të gjitha mundësitë protestën jashtë çdo konotacioni, simboli partiak, por thjesht në frymën qytetare. E kemi bërë në rrafshin brenda vendit, e kemi bërë me kaq zell dhe me sukses në rrafshin ndërkombëtar. Protesta ka marrë mbështetjen e PPE. As kemi tentuar, as nuk tentojmë, as nuk dëshirojmë. Ne ishim në protestë, doli kjo protestë dhe kërkesat janë të njëjtat me ne, e mbështesim plotësisht”, u shpreh Berisha ndër të tjera.
