Këtë të martë u mbajt në GJKKO seanca e gjyqit në themel ndaj Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë që do të gjykohen me proces normal.
Burime për mediat konfirmojne se seanca e sotme ku Veliaj kishte vendosur të mos merrte pjesë, pasi refuzon kafazin e qelqtë, është shtyrë për datën 21 korrik, ndërsa togat e zeza kanë rrëzuar edhe një nga kërkesat e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës.
Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa pas lindjes së fëmijës kërkoi shtyrjen e seancës së sotme dhe pezullimin e shqyrtimit gjyqësor me 63 ditë sipas raportit shëndetësor.
"Kërkoj të jem personalisht e pranishme dhe nuk autorizoj mbrojtësit e mi të vijojnë mbrojtjen time pa praninë time", ka thënë Xoxa përmes një deklarate e cila u lexua nga avokati i saj.
Por, SPAK e kundërshtoi kërkesën e Xoxës, duke i kërkuar GJKKO që ta ndajë çështjen e saj nga Veliaj dhe të pandehurit e tjerë. Ish-kreu i SPAK Altin Dumani deklaroi se Prokuroria e Posaçme vlerëson se janë kushtet për vijimin e procesit gjyqësor.
"Ne mendojmë se janë kushtet për vijimin e procesit gjyqësor. Lidhur me kërkesën e Xoxës, ligji i referohet shtyrjes së seancës, ndërsa avokatët kanë kërkuar pezullimin e gjykimit deri në përfundimin e lejes së lindjes. Ligji nuk parashikon diçka të tillë. Por jemi në kushtet kur e pandehura shprehet se dëshiron të jetë e pranishme. Ky shqyrtim gjyqësor ka nisur në shtator të vitit të kaluar dhe ajo nuk ka qenë e pranishme në asnjë seancë. Nëse gjykata e konsideron të nevojshme praninë e Xoxës, atëherë të ndahet çështja për të", tha Dumani.
Nga ana tjetër, avokati Gurali Brahimllari kundërshtoi qëndrimin e Prokurorisë, duke argumentuar se pezullimi i procesit lidhet me garantimin e një mbrojtjeje efektive.
"Kundërshtojmë qëndrimin e Prokurorisë, pasi ligji parashikon zhvillimin e pandërprerë të gjykimit. Megjithatë, pezullimi i shqyrtimit parashikohet në raste të caktuara, si kur kryhet një ekspertim apo një vlerësim i gjendjes mendore të të pandehurit. Pra, ka raste kur pezullimi përcaktohet shprehimisht. Në kushtet kur nëna ka kryer lindje me prerje cezariane, jemi në një situatë të tillë. Përderisa ajo është me raport mjekësor, të përcaktuar nga mjeku, si çdo nënë në Republikën e Shqipërisë, kërkojmë të pranohet kërkesa për shtyrjen dhe pezullimin e procesit. Nëse gjykata vlerëson ta ndajë çështjen, kjo nuk do të ishte ekonomike", tha Brahimllari.
Ndërkohë, avokati Maksim Haxhia u shpreh se mungesa apo prania e të pandehurës nuk duhet të lidhet me faktin nëse ajo paraqitet në çdo seancë.
"Nuk është argument fakti që herë vjen e herë nuk vjen. Kjo nuk ka lidhje", tha Haxhia.
Brahimllari shtoi se ndarja e çështjes nuk do të ishte zgjidhja e duhur, duke theksuar se qëllimi kryesor është garantimi i një mbrojtjeje efektive.
"Nëse gjykata vlerëson ta ndajë çështjen, le ta ndajë, por synimi ynë është garantimi i një mbrojtjeje efektive. Ajo është në bashkëpunim me bashkëshortin dhe të pandehurit e tjerë, ndaj çështja nuk mund të ndahet. Megjithatë, vendimin e ka gjykata", deklaroi ai.
Pasi u tërhoq për vendim, GJKKO rrëzoi kërkesën e Xoxës për pezullimin e shqyrtimit gjyqësor me 2 muaj dhe vendosi shtyrjen e seancës për sot, për t'i dhënë mundësi që të jetë e pranishme në proces.
Gjykata, pasi shqyrtoi kërkesën e Ajola Xoxës, konstatoi se e pandehura, që nga paraqitja e kërkesës për gjykim, gjatë shqyrtimit në themel dhe para këtij trupi gjykues, nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë dhe është përfaqësuar nga avokatët.
Nisur nga fakti se është paraqitur vetëm raporti i lindjes, i cili nuk përbën raport paaftësie për punë, gjykata vendosi të pezullojë afatet për të paraburgosurit nga kjo seancë deri në seancën e ardhshme, e cila do të zhvillohet më 21 korrik, në orën 10:00.
