Nga Afrim Krasniqi
36 ditë protestë qytetare në Tiranë. Mjafton reagimi ndaj saj për të kuptuar se gjenerata e re që proteston ka të drejtë.
PS/Qeveria nuk ka asnjë shenjë reflektimi. Ato sillen me arrogancë, fyerje, denigrime, kërcënime dhe mohime të fakteve. Asnjë propozim, asnjë ide reformatore, asnjë ndryshim në strukturë dhe vendimmarrje. E konsiderojnë përballjen me brezin e ri si “luftë” që duhet fituar me çdo kusht “në interes madhor të vendit”, retorikë e njëjtë me PPSH/Alinë në vitet 1990/1991. Ato nuk kanë mësuar asgjë nga protesta dhe mesazhet e saj, nuk i njohin vetes përgjegjësi dhe gabimisht mendojnë se të pazëvendësueshme dhe pakontestueshme në pushtetin absolut që ushtrojnë prej 1.5 dekadash. Protesta nxori në pah krizën e përfaqësimit si cilësi dhe standard, turmën e individëve anonimë të paformuar që janë emëruar deputetë e ministra, kulturën denigruese të patronazhistëve dhe pafuqinë për të menduar dhe vepruar si pushtet e parti si në modelet e vendeve anëtare në BE.
PD/Opozita nuk ka asnjë shenjë reflektimi. Ato sillen gjithashtu me arrogancë, refuzojnë me denigrime ata që mendojnë kundër, dhe vijojnë me mohime të fakteve. Asnjë propozim, asnjë ide reformatore, asnjë ndryshim në strukturë dhe vendimmarrje. E konsiderojnë përballjen me brezin e ri një keqkuptim dhe mundësi për t’i përdorur, jo si një moment reflektimi, ndryshimi dhe reformimi. Njëjtë si PPSH më 1991. Ato gjithashtu nuk kanë mësuar asgjë nga protesta dhe mesazhet e saj, nuk i njohin vetes përgjegjësi dhe gabimisht mendojnë se të pazëvendësueshme dhe pakontestueshme në përfaqësimin e pasuksesshëm të opozitës prej 1.5 dekadash. Edhe për opozitën, protesta nxori në pah krizën e përfaqësimit si cilësi dhe standard, turmën e individëve anonimë të paformuar që janë emëruar deputetë e zyrtarë politikë, kulturën denigruese të militantëve dhe pafuqinë për të menduar dhe vepruar si opozitë reformuese si në modelet e vendeve anëtare në BE.
Partitë e reja nuk janë gjithashtu asnjë shenjë reflektimi. Gabimisht mendojnë se protesta do të sjell vota pro tyre, dhe se zemërimi është i detyruar të zgjedh të keqen më të vogël, pra ata. As ide, as propozime, as reflektim, as ndryshim dhe as pranim i pjesës së përgjegjësisë.
Mediat, sidomos “gazetarët biznesmenë” që dominojnë në diskursin publik, nuk kanë mësuar asgjë nga protesta, përkundrazi. Janë mediat e vetme në Europë kundër qytetarëve dhe gjeneratës së re, pro një sistemi korruptiv dhe abuzues politik dhe ekonomik. Tezat e tyre janë të njëjta si më 1989-1990, pro regjimit/regjimeve dhe denigruese e fyese ndaj zërave kritikë/kundër.
Institucionet, përfshirë ato ligjzbatuese, Policia dhe Shërbimi Sekret, deri edhe tek MPJ, nuk kanë mësuar asgjë nga protesta dhe thelbi i mesazhit të saj. Ato ushqejnë status quo-n, i shërbejnë asaj dhe refuzojnë përballjen me përgjegjësitë funksionale ligjore dhe kushtetuese. Fatkeqësisht edhe SPAK, Gjykata Kushtetuese, ILDKPKI dhe KLSH po vijojnë të mos bëjnë dallim nga komisarët e përzgjedhur politikë në institucionet e tjera të “pavarura”.
Pjesa elitare e shoqërisë, universitetet dhe akademia gjithashtu nuk kanë mësuar asgjë, nuk janë në gjendje të kuptojnë asgjë dhe as të reagojnë në interesin publik. Ato kanë braktisur brezin e ri, grupet liberale dhe moderatore, elitat e reja krijuese dhe shkencore dhe cilindo që mendon se Shqipëria mund të bëhet një vend normal, ku respektohet ligji, Kushtetuta dhe parimet demokratike.
Të njëjtat vlerësime kritike vlejnë edhe për grupet që në një shoqëri duhet të kishin zë, integritet dhe fuqi ndikuese, - dhomat e biznesit, sindikatat, këshillat bashkiakë, grupet komunitare, etj.
Natyrisht ata që iniciuan protestën dhe sidomos ata mijërave që protestojnë çdo ditë nën një presion jashtëzakonisht të madh, të rinj e familjarë, mund tu kërkohen me dylbi gabime teknike, organizative apo në ligjërim, mund ta bënin më mirë dhe të kishin qasje më strategjike / më të programuar dhe më përfshirëse, por në thelb, akti i tyre është i vetmi zhvillim pozitiv në Shqipërinë e vitit 2026, dhe ndofta edhe shpresa/mundësia e vetme për të filluar fundin e tranzicionit. Ata e kanë fituar individualisht kauzën e tyre dhe 36 ditë janë dëshmi. Tani mbetet të fitojë shoqëria dhe vendi dhe për këtë, është koha që shteti, institucionet, aktorët politikë, grupet me ndikim dhe pjesa pragmatiste/e heshtur e shoqërisë të reagojë me reflektim, me mendje të hapur, me ide, me sjellje të reja dhe me kurajën për të refuzuar ofertën e fake democracy dhe shtetin privat që nxori në rrugë gjeneratën e re, qytetarët aktivë dhe ata që duan vendin më shumë se partinë e tyre.
Kur ankohen për historinë, të gjithë thonë, “jemi vendi i shanseve të humbura” dhe fajësojnë paraardhësit. Deri më 1990 krahasimi bëhej me 1938, deri më 2013 krahasimi bëhej me 1990, tani krahasimi vijon të bëhet me 1997/1998 dhe ndonjëherë me 2013. Nuk krahasohen me kohën kur jetojmë, standardin europian, sfidat, premtimet dhe mundësitë, por me pikën e më të dobët/më të largët të Tjetrit. Një alibi spekullative e dështimit të elitave për të kryer reforma dhe për të fituar kohën e humbur. Ndofta është koha të kuptojmë se në të shumtën e rasteve nuk jemi vend i shanseve të humbura, por çmim i merituar i paaftësisë tonë për të kuptuar nevojat, sfidat dhe prioritetet. Gjenerata e re po e thotë më zë të lartë dhe kurajë edhe këtë herë. Koha ta dëgjojmë.
