Një shkëndijë elektrike ka shkaktuar një zjarr këtë të martë, rreth orës 09:45, pranë godinës së Postës Shqiptare në zonën e Qafës së Pazarit, në Gjirokastër.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer në tabelën reklamuese të vendosur në fasadën e godinës së postës, duke u përhapur me shpejtësi.
Si pasojë, është rrezikuar godina e Postës Shqiptare, si edhe banesat që ndodhen në të njëjtin objekt.
Shërbimet zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, të cilët nisën punën dhe vunë nën kontroll flakët.
Njoftimi i Policisë:
Në orën 09:45, nga Salla Operative e Policisë së Shtetit se në Pazarin e Gjirokastrës, pranë Postës Shqiptare, te tabelat e reklamave, kishte rënë zjarr në fasadën e godinës së postës. Si pasojë e zjarrit, rrezikoheshin godina e Postës Shqiptare dhe banesat që ndodhen në të njëjtin objekt.
Menjëherë u nis grupi i shërbimit drejt vendngjarjes, ku ndërhyri në kohë, duke izoluar dhe shuar plotësisht flakët.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë, zjarri u vu nën kontroll dhe u eliminua pa shkaktuar dëme të tjera materiale apo pasoja.
