Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, foli për një nga problematikat më të mëdha me të cilat përballen prokuroritë në vend.
Çela tha se largimi i prokurorëve me eksperiencë për shkak të procesit të vettingut dhe emërimi i prokurorëve të rinj kanë sjellë keqfunksionim në mënyrën se si operojnë institucionet, si në proceset administrative brenda zyrave, ashtu edhe në bashkëpunimin me institucionet e tjera.
Kryeprokurori tha më tej se shpesh drejtuesit e prokurorive detyrohen të firmosin zarfe të mbyllura që lidhen me procedura hetimore, pa qenë në dijeni të përmbajtjes së tyre. Ai bëri thirrje për ngritjen e një sistemi efikas të llogaridhënies për prokurorët e rinj.
Çela: Sot ju thatë që shumica e prokurorëve janë të rinj. Problemet që ne po hasim nuk janë të pakta. Kjo vjen për një arsye madhore, për shkak të vettingut. Këta prokurorë shkuan në zyrat ku mungonin prokurorët me eksperiencë dhe, siç e ngritët me të drejtë edhe ju, kjo ka shkaktuar një keqfunksionim në mënyrën se si ata operojnë, si në proceset administrative brenda zyrës, ashtu edhe në raportet me institucionet e tjera.
Prokurorët e rinj refuzojnë të bashkëpunojnë me drejtuesit e tyre për çështje që lidhen me dërgimin e një shkrese, si për shembull një përgjim telefonik apo një kërkesë për sekuestro. I çojnë drejtuesit një zarf të mbyllur dhe ai duhet ta firmosë pa e ditur se çfarë përmban shkresa. Deri këtu ka arritur keqkuptimi i konceptit të pavarësisë dhe ky është një problem madhor që duhet të trajtohet nga ILD.
Problemi më i madh, më shumë sesa motivimi i prokurorëve të rinj, është nevoja për një sistem efikas të llogaridhënies dhe të matjes së performancës së tyre. Duhet të vendosim një bazament për nevojat që kemi. Ajo që unë them sot është se Prokurori i Përgjithshëm e ka të pamundur të ushtrojë plotësisht rolin dhe përgjegjësitë e tij pa mbështetjen e institucioneve të tjera.
