Hapësire reklamuese

Aktualitet

24 organizata të shoqërisë civile dënojnë dhunën: Një protestuesi i është thyer hunda, të tjerët janë rrahur gjatë shoqërimit! Efektivët u goditën nga "individë të veçantë"

Shkruar nga Newsbomb
24 organizata të shoqërisë civile dënojnë dhunën:
Momenti i shoqerimit te nje protestuesi te Parlamenti, 2 Korrik

Njëzetekatër organizata të shoqërisë civile po ndjekin me shqetësim zhvillimet që lidhen me protestën e 2 korrikut 2026 para Kuvendit të Shqipërisë, përdorimin në mënyrë jo proporcionale dhe në tejkalim të forcës nga disa punonjës të Policisë së Shtetit, si dhe arrestimin dhe shoqërimin e disa protestuesve në komisariate.

Protestuesit e arrestuar në flagrancë u liruan nga gjykata më 5 korrik 2026, ndërsa për një pjesë të tyre, gjykata caktoi masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur”.

Pas lirimit, disa protestues dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë kanë bërë publike në media si dhe kanë përcjellë pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit pretendime për përdorim force gjatë arrestimit dhe transferimit në automjetet e policisë, si dhe për pengesa në kryerjen e ekzaminimeve mjekësore të pavarura dhe në aksesin efektiv te avokati.

Çdo pretendim i besueshëm për keqtrajtim duhet të hetohet pa vonesë, në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe efektive. Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe çdo institucion tjetër duhet të respektojnë këtë proces dhe të shmangin çdo deklarim apo veprim që mund të paragjykojë rezultatin e hetimit.

REAGIM PUBLIK I ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE- PAS PROTESTËS SË 2 KORRIKUT 2026

Në krye të herës, dëshirojmë të theksojmë se, Organizatat tona dënojnë çdo akt dhune, pavarësisht se nga kush ushtrohet, përfshirë aktet e dhunës dhe dëmtimet ndaj Komisariatit nr. 3 të Policisë së Shtetit në mbrëmjen e dt.4 Korrik 2026.

Në të njëjtën kohë, gjejmë rastin të nënvizojmë se aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë nuk mund të përdoren për të kriminalizuar apo denigruar në tërësi një protestë paqësore, as për të justifikuar përdorimin joproporcional të forcës apo keqtrajtimin e personave që ndodhen nën kontrollin e forcave të policisë.

  1. Pretendimet për përdorim force ndaj personave të neutralizuar dhe të prangosur

Sipas dëshmive të mbledhura, shtetasit protestues A.N. dhe A.Ll. pretendojnë se paraditën e datës 2 korrik, teksa po mbahej protesta e radhës, pasi kaluan gardhin metalik të vendosur në lulishten pranë Kuvendit për të kërkuar informacion nga policia, mbi dy protestues (at e bir F.B dhe E.B) për të cilët u sinjalizuan se ishin dhunuar, u kapën nga punonjës të policisë, u shtrinë në tokë dhe u goditën me grushte, shkelma dhe shkopinj gome, ndërsa ishin të shtrirë dhe të neutralizuar (të prangosur). Ata deklarojnë gjithashtu se një grup punonjësish të policisë krijoi një “gardh” rreth tyre për të penguar filmimin e ngjarjes. Pozicionimi i punonjësve të policisë në mënyrë që të pengonin pamjen e kamerave rezulton i dokumentuar edhe në pamje filmike amatore.

Shtetasi A.Ll. pretendon se, gjatë transferimit drejt komisariatit, brenda automjetit të policisë, është goditur vazhdimisht në fytyrë dhe në kokë dhe është kërcënuar nga një person i veshur civil.

Shtetasi I.Xh. dhe shetetasja tjetër A.Ll. pretendojnë se ndaj tyre është përdorur spraj irritues me piper, ndërsa protestuesit ishin ulur në tokë. Sipas tij, teksa ata qëndruan të ulur në tokë, një punonjës policie dha urdhër që policët ti shtynin protestuesit. Në këtë moment, policët filluan t’i shtynin ndërkohë që ata ishin ende ulur në tokë dhe ndjenin kambalet e tyre në pjesën e shpinës dhe brinjve. Kjo pamje është filmuar gjithashtu nga kamerat amatore, ndërkohë që dëgjohen thirrjet e protestuesit ndaj punonjësve të policisë që nuk po bëjmë asgjë të kundërligjshme.

Sipas informacionit të përcjellë nga avokati mbrojtës L.T, protestuesi  që përfaqësohet prej tij, G.P. është goditur ndërsa ndodhej pothuajse i gjunjëzuar, me duart poshtë dhe pa bërë rezistencë, fillimisht nga një person që ushtronte funksionin e truprojës private dhe, më pas, sipas pretendimit të tij, nga një punonjës policie, ndërsa ishte i prangosur. Për shtetasin tjetër të përfaqësuar po prej këtij avokati, B.K. janë referuar dëmtime të rënda fizike, përfshirë thyerjen e hundës.

E drejta e tubimit paqësor garantohet nga neni 47 i Kushtetutës dhe neni 11 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose degradues garantohet nga neni 25 i Kushtetutës dhe neni 3 i KEDNJ-së. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar se ndaj një personi që ndodhet nën kontrollin e policisë, çdo përdorim force që nuk është rreptësisht i domosdoshëm për shkak të sjelljes së vetë personit cenon dinjitetin njerëzor dhe, në parim, nenin 3 të Konventës (Bouyid k. Belgjikës [DHM]). Po kështu, kur një person merret nën kontrollin e autoriteteve shtetërore, në gjendje të mirë shëndetësore dhe më pas shfaq dëmtime fizike, barra për të dhënë një shpjegim bindës mbi shkakun e tyre i takon shtetit (Salman k. Turqisë). Në përputhje me garancitë procedurale të nenit 3 të KEDNJ-së, këto ankesa kërkojnë verifikim të menjëhershëm dhe të pavarur.

  1. Kujdesi mjekësor dhe dokumentimi i dëmtimeve

Sipas ankesave të përcjella, disa prej personave të ndaluar në Komisariatin e Policisë nr. 3 nuk kanë marrë kujdes mjekësor në kohën e duhur, pavarësisht pretendimeve për dëmtime fizike dhe kërkesave të përsëritura për asistencë për t’u dërguar në spital dhe për t’ju nënshtruar ekzaminimeve mjekësore me aparatura të specializuara për shkak të goditjeve (skaner, rezonancë manjetike). Sipas deklaratave të tyre (A.N dhe A.Ll), ambulanca e kërkuar nuk ka mbërritur dhe vizita por jo kontrolli i mirëfilltë mjekësor është kryer vetëm ditën pasardhëse, pas transferimit të të ndaluarve në Bllokun e Sigurisë “Mine Peza”. Gjithashtu pretendohet se ekzaminimi nuk ka pasur karakter mjeko-ligjor dhe nuk ka dokumentuar në mënyrë të plotë pretendimet dhe shenjat e dëmtimeve.

Në rastin e shtetasit A.Ll., referohet se informacioni mbi një implant në sy dhe pretendimet për goditje në kokë nuk janë marrë në konsideratë në mënyrë të përshtatshme gjatë vlerësimit mjekësor nga mjeku i Bllokut të Sigurisë.

Detyrimi pozitiv i shtetit sipas nenit 3 të KEDNJ-së përfshin garantimin e kujdesit të përshtatshëm mjekësor për personat e ndaluar. Standardet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor apo Poshtërues (CPT) kërkojnë që çdo shenjë dhune të regjistrohet që në momentin që autoritetet marrin dijeni, në dokumentacionin mjekësor, së bashku me deklarimet e personit mbi mënyrën e shkaktimit të saj dhe vlerësimin e mjekut mbi përputhshmërinë ndërmjet deklarimeve dhe dëmtimeve të konstatuara. Dokumentimi i menjëhershëm dhe profesional i dëmtimeve është një garanci themelore si për mbrojtjen e personit të ndaluar, ashtu edhe për një hetim të besueshëm.

Sipas dokumentacionit dhe dëshmive të përcjella, Oficeri i Policisë Gjyqësore në Komisariatin nr.3 ka nxjerrë akt për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor, përfshirë vendimin e datës 2 korrik për shtetasin A.N., por ekspertimi nuk është kryer. Shtetasi A.N. deklaron se dëmtimet e dukshme i janë fotografuar në korridorin e Komisariatit nr. 3, në prani të Oficerit të Policisë Gjyqësore. Sipas tij, në atë moment ishin të dukshme gërvishtje në gju, parakrah dhe tëmth, ndërsa shenja të tjera në sy dhe brinjë janë shfaqur më vonë. Ai pretendon gjithashtu goditje në kokë, të cilat nuk mund të dokumentohen vetëm përmes fotografimit të jashtëm. Edhe për avokatin mbrojtës L.T, që përfaqëson disa prej protestuesve të ndaluar, atyre nuk u është mundësuar të bëjnë akt ekspertimi mjeko ligjore ndonëse oficeri policisë gjyqësore lëshoi procesverbal, duke e konsideruar të pavlerë këtë dokument, pasi kane kaluar 4 ditë nga ngjarja dhe shenjat nuk janë si në fillim. Pretendimet për ushtrim dhune rezulton se janë bërë të ditura edhe në seancën gjyqësore të vleftësimit të arrestit në burg të shtetasve të ndaluar/arrestuar në flagrancë.

Në rastet e pretendimeve të besueshme për keqtrajtim të personave të privuar nga liria, autoritetet kanë detyrimin të sigurojnë pa vonesë provat dhe të fillojnë një hetim efektiv. Ky detyrim procedural është zhvilluar nga Gjykata e Strasburgut, ndër të tjera në çështjet Assenov k. Bullgarisë, Batı k. Turqisë, Mocanu dhe të tjerë k. Rumanisë [DHM] dhe Mikheyev k. Rusisë. Ne vlerësojmë me shqetësim se vonesa në dokumentimin e dëmtimeve dhe moskryerja në kohë e ekspertimit mjeko-ligjor mund të çojnë në humbjen e provave objektive dhe të cenojnë efektivitetin e hetimit.

  1. Deklaratat publike të Ministrit të Brendshëm ndaj avokatit mbrojtës G.S

Organizatat tona shprehin shqetësim të veçantë për deklaratën publike të Ministrit të Brendshëm, i cili i cilësoi si të pabaza pretendimet e ngritura publikisht nga avokati G.S, për shenjat dhe pretendimet e dhunës së shtetasit të arrestuar N.Q (protestues i përfaqësuar prej tij) dhe paralajmëroi se, nëse Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrin në të njëjtin përfundim, Policia e Shtetit do ta referojë avokatin në Prokurori dhe do të kërkojë shqyrtimin e çështjes nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Pavarësia e profesionit të avokatit dhe ushtrimi pa frikësim i së drejtës së mbrojtjes garantohen nga Parimet Bazë të OKB-së për Rolin e Avokatëve, Konventa e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit e vitit 2025, e nënshkruar nga Shqipëria, Rekomandimi Rec(2000)21 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe ligji nr. 55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

Liria e shprehjes së avokatit, veçanërisht për çështje me interes publik dhe në mbrojtje të klientit të tij, mbrohet nga neni 10 i KEDNJ-së dhe neni 22 i Kushtetutës. Gjykata e Strasburgut ka trajtuar në mënyrë të posaçme rëndësinë e kësaj lirie në çështjet Morice k. Francës [DHM] dhe Nikula k. Finlandës.

Pretendimet për keqtrajtim nuk mund të shpallen të pabaza nga autoritetet e ekzekutivit përpara përfundimit të një hetimi të pavarur nga organet e sistemit të drejtësisë. Standardet procedurale të nenit 3 të KEDNJ-së kërkojnë që hetimi të jetë i pavarur, efektiv, i shpejtë dhe i aftë për të identifikuar përgjegjësit, standarde të zhvilluara ndër të tjera në çështjet e gjykuara nga GJEDNJ Assenov k. Bullgarisë, Batı k. Turqisë, Ramsahai k. Holandës dhe Bouyid k. Belgjikës [DHM].

Për këtë arsye, cilësimi publik dhe paraprak nga Ministri i Brendshëm, i pretendimeve si “të pabaza”, ndërkohë që verifikimet janë ende në proces dhe lidhur me to nuk është shprehur ende një organ i pavarur i drejtësisë, rrezikon të cenojë besimin në paanshmërinë e hetimit dhe të krijojë një efekt frikësues ndaj avokatëve që denoncojnë publikisht pretendime për keqtrajtim të klientëve të tyre. Në këtë kontekst duhet mbajtur parasysh edhe pozita institucionale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AM). Sipas ligjit nr. 128/2021, AMP-ja është në varësi të Ministrisë së Brendshme, drejtuesi i saj emërohet nga Kryeministri dhe struktura e saj miratohet me urdhër të Kryeministrit (neni 3/1, neni 10/4 dhe 14/e). Kjo e bën veçanërisht të rëndësishme që hetimi penal mbi pretendimet për keqtrajtim të drejtohet dhe mbikëqyret në mënyrë efektive nga Prokuroria.

  1. E drejta e mbrojtjes dhe aksesi te avokati i zgjedhur

Shtetasi A.N. pretendon se ditën e dytë të ndalimit nuk është lejuar të takojë avokatin e tij mbrojtës.

Avokati L.T., përfaqësues i protestuesve G.P. dhe B.K., referon gjithashtu se nuk ka mundur të takojë klientët e tij në Bllokun e Sigurisë “Mine Peza”, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura. Sipas tij, rreth orës 19:00 të datës 2 korrik është paraqitur në ambientet e këtij Blloku por j’u komunikua nga punonjësit e shërbimit të rikthehej më vonë, pasi në ambiente ndodheshin avokatë të tjerë. Kur u rikthye rreth orës 22:00, iu komunikua se orari i vizitave kishte përfunduar. Si rezultat, ai pretendon se nuk ka mundur të komunikojë me klientët e tij nga momenti i transferimit të tyre nga Komisariati nr. 4 deri në mëngjesin e ditës pasardhëse, rreth orës 10:30.

E drejta për mbrojtje dhe për konsultim konfidencial me avokatin e zgjedhur garantohet nga neni 31 i Kushtetutës, neni 6 i KEDNJ-së dhe Kodi i Procedurës Penale. Rëndësia e aksesit efektiv te avokati që në fazat e para të procedimit është theksuar nga Gjykata e Strasburgut në çështjen Salduz k. Turqisë [DHM].

Kufizimet administrative dhe organizative, përfshirë oraret e vizitave, nuk mund ta bëjnë joefektive këtë të drejtë, veçanërisht në orët e para pas arrestimit, kur personi i ndaluar është më i ekspozuar ndaj shkeljeve apo që mund të përkeqësojnë statusin e tij ligjor, e për rrjedhojë këshillimi juridik ka rëndësi të veçantë.

Në këto rrethana, organizatat nënshkruese:

I bëjnë thirrje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë të drejtojë dhe mbikëqyrë menjëherë dhe pa vonesë një hetim të pavarur, efektiv dhe të paanshëm për çdo pretendim të besueshëm për keqtrajtim.

Kërkojnë sigurimin e menjëhershëm të pamjeve filmike të protestës së 2 korrikut 2026 para Kuvendit të Shqipërisë dhe zonave përreth, të pamjeve nga ambientet policore ku janë mbajtur të ndaluarit, si dhe të të dhënave që lidhen me trajektoren dhe personelin e automjeteve të përdorura për transportimin e tyre. Gjithashtu, kërkojmë të sekuestrohen pamjet filime të ambienteve ku është mbajtur shtetasi N.Q në Bllokun e Sigurisë “Mine Peza”.

Kërkojnë kryerjen, me pëlqimin e personave të dëmtuar, të ekspertimeve të pavarura mjeko-ligjore dhe të ekzaminimeve të tjera mjekësore të nevojshme për dokumentimin e plotë të dëmtimeve përfshi goditjet që ata deklarojnë në trup dhe kokë.

I bëjnë thirrje Ministrit të Brendshëm të tërheqë deklaratat publike për ndjekje penale dhe referim disiplinor të avokatit dhe të shmangë çdo deklarim që mund të paragjykojë rezultatin e hetimeve.

I bëjnë thirrje Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe çdo autoriteti tjetër të bashkëpunojnë plotësisht me hetimin dhe të garantojnë ruajtjen dhe vënien në dispozicion të të gjitha provave.

I bëjnë thirrje çdo funksionari publik të vetëpërmbahet nga deklarata që paragjykojnë hetimet në vazhdim ose stigmatizojnë protestuesit, avokatët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

I bëjnë thirrje protestuesve të vetëpërmbahen nga çdo akt dhune, të ruajnë karakterin paqësor të protestës dhe të respektojnë lirinë e shtypit, si dhe integritetin fizik dhe profesional të gazetarëve dhe punonjësve të medias.

Organizatat tona do të vijojnë të monitorojnë trajtimin e ankesave për cenimin e të drejtave dhe lirive themelore dhe reagimin e institucioneve përgjegjëse konform legjislacionit në fuqi, dhe në përputhje me parimet e llogaridhënies dhe transparencës publike.

Në një shtet të së drejtës, dhuna ndaj policisë është e dënueshme por ajo nuk justifikon në asnjë situatë keqtrajtimin nga policia, ashtu si pretendimet për keqtrajtim nuk provohen apo rrëzohen me deklarata politike. Ato kërkojnë hetim të pavarur, të shpejtë dhe të gjithënashëm, nga organet e pavarura të drejtësisë.

Organizatat nënshkruese:

  1. Komiteti Shqiptar i Helsinkit
  2. Qendresa Qytetare
  3. Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
  4. Qendra për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillim të Qëndrueshëm (All Green Centre)
  5. Ǫendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER)
  6. Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive
  7. Gruaja Shqiptare në Audiovisual
  8. Civil Rights Defenders, Shqipëri
  9. Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri
  10. Qendra Amfora
  11. Citizens
  12. Ǫendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA-ECPAT Shqipëri)
  13. Qendra Për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e mjedisit natyror në Shqipëri (PPNEA)
  14. Partners Albania
  15. Albanian Center for Quality Journalism (ACQJ)
  16. Rrjeti Erasmus Tirana
  17. Gender Alliance for Development Center
  18. AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri
  19. Together For Life (TFL)
  20. Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS)
  21. Fondacioni së Bashku
  22. Faktoje
  23. Cooperation and Development Institute (CDI)
  24. The Center for the Study of Democracy and Governance CSDG)

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese