Indrit Aliu alias Indrit Kolleshi alias David Isaac janë tre identitetet e një mashtruesi që ka arritur të fusë në kurth disa nga biznesmenët e Shqipërisë dhe figura të larta të Partisë Socialiste në pushtet. Karrierën e ka nisur rreth dy dekada më parë, ndërsa vesi nuk i është venitur nga vitet e burgut. Madje, mund të thuhet se "zanatin" e ka perfeksionuar.
Newsbomb.al raporton se personi që kohët e fundit ka nisur të prezantohet si kryetar apo president i Sinagogës së vetme izraelite në Shqipëri, konkretisht në zonën e Saukut në Tiranë, është as më pas e as më shumë një eksponent i dënuar nga drejtësia shqiptare për shumë episode mashtrimi. Dëmi nga veprimtaria e tij, që në vitet 2010 është përllogaritur më shumë se 4 miliardë lekë.
Tani, Indrit Aliu apo Indrit Kolleshi ka nisur të sillet sërish nëpër ambiente ku qëndrojnë politikanë e biznesmenë, por më një identitet krejt të ri. Shtetas izraelit, David Isaac.
Nuk është e qartë nëse politikanes socialiste Elisa Spiropali gjatë ditëve të fundit të takimeve me të i është prezantuar me identitetet e tij shqiptare, apo me atë të riun, si një izraelit modern që ka mësuar shqip dhe drejton sinagogën e Tiranës.
Aktiviteti i Indrit Aliut alias Indrit Kolleshi alias David Isaac ka nisur rreth viteve 2008-2009, kur ai mashtronte biznesmenët e kryeqytetit se do "u zgjidhte hallet" që kishin me shtetin dhe u zhvati 4 milionë euro, apo më shumë se 4 miliardë lekë duke llogaritur kursin e kohës.
Në nëntor të vitit 2009, Indrit Aliu u arrestua në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim pas dhjetëra kallëzimeve në emër të tij në Prokurorinë e Tiranës nga biznesmenë të ndryshëm. Gjykimi ndaj tij nisi në korrik të vitit 2010, pak muaj pasi u ekstradua nga shteti grek dhe në vitin 2011 ai u dënua me heqje lirie.
Pas një dekade në burgun e Peqinit dhe institucione të tjera të vuajtjes së dënimit, ai u lirua në vitin 2021.
Menjëherë nisi të angazhohej në takime me politikanë të lartë dhe një ndër ta ishte Niko Peleshi. Socialisti drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, në kohën kur Indrit Aliu u lirua pas dënimit të parë, dhe pas takimit me të publikoi një fotografi në llogaritë e tij në rrjetet sociale.
Newsbomb.al mëson se Niko Peleshi sapo kishte rënë në kurth dhe në krah të fotografisë shkruante atëkohë se personi që e shoqëronte ishte një "gjeneral në pension i ushtrisë izraelite". Ata që e njihnin identitetin e vërtetë të "gjeneralit" telefonuan me shpejtësi ministrin socialist dhe i treguan se Indrit Aliu ishte as më pak e as më shumë, një mashtrues i dënuar.
Fotografia dhe postimi u zhdukën nga llogaria e ministrit, por pak kohë më pas në këtë kurth ra edhe socialisti tjetër Eduard Shalsi. Me një emër krejt tjetër, Indrit Aliu alias Indrit Kolleshi mashtroi edhe deputetin veteran të PS duke shkrepur edhe një fotografi me të.
E vërteta u zbardh shpejt dhe Eduard Shalsi e zhdukur fotografinë me Aliun apo Kolleshin.
Ai nuk e kishte harruar vesin dhe dy vite pas lirimit nga qelia, në vjeshtën e 2023, u arrestua sërish nga Policia e Shtetit për akuzat e mashtrimit. Duke ju prezantuar biznesmenëve të ndryshëm si zyrtar i lartë, iu premtonte tendera herë në Ministrinë e Infrastrukturës e herë në atë të Ekonomisë.
Për ta bërë më bindës mashtrimin, hynte e dilte në godinat e ministrive, ashtu siç u provua edhe nga kamerat e sigurisë që ndoqën hetuesit, pasi edhe këtë herë një biznesmen kishte dyshuar te "puna" e Indrit Aliut dhe menjëherë kishte bërë kallëzim.
Hetimet zbuluan se 39-vjeçari (atëkohë) për t'u dukur sa më serioz dhe i besueshëm në "aktivitetin" që kryente, kishte hapur edhe një zyrë pune. Gjatë arrestimit, atij ju sekuestruan dy aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme të cilat Indrit Aliu i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.
Nuk është e qartë sesi ky shtetas ka mundur të lirohet dhe t'i shpëtojë akuzave të drejtësisë, edhe si përsëritës, pasi rreth gjashtë muaj më parë, në Janar 2026, është shfaqur në radhën e parë të një takimi që kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në Izrael. Siç shihet edhe nga kjo fotografi, Indrit Aliu alias Indrit Kolleshi këtë herë është prezantuar me një identitet të freskët fare, si David Isaac. Një emër tipik izraelit.
Ndërsa kryeministri Edi Rama fliste, David Isaac shfaqej në rreshtin e parë në krah të Yoel Kaplan, i cili është Kryerabini i Shqipërisë dhe përfaqësues i lëvizjes Chabad Shliach në vendin tonë. Ai ka qenë i njohur për përpjekjet e tij në ndërtimin e urave të miqësisë dhe kulturës hebraike në Shqipëri, si dhe për angazhimin e tij gjatë emergjencave civile, veçanërisht pas tërmetit të vitit 2019.
Pas tyre, qëndron bashkëshortja e kryeministrit, zonja Linda Rama dhe zëvendësministrja jonë e jashtme, Megi Fino.
Pjesëmarrja e tij në një aktivitet të një rëndësie të tillë dhe pozicioni në të cilin ka qëndruar gjatë fjalimit të Edi Ramës në Inzrael, tregon qartësisht nivelin pothuajse perfekt të mashtrimit të Indrit Aliut, duke u prezantuar si kryetar apo president i sinagogës së vetme izraelite në Shqipëri, raporton newsbomb.al.
Gjashtë muaj pas këtij aktiviteti dhe një periudhë jo fortë normale politike për vendin, David Isaac është fotografuar në një takim privat me politikanen e lartë socialiste Elisa Spiropali.
Takimi dhe fotografitë vijnë në një moment ku Spiropali është kthyer në një kritike e fortë e modelit qeverisë të Edi Ramës, i cili i besoi për vite me radhë ndër postet më të larta në kabinet, ndërsa publikisht ka deklaruar edhe se po punon për draftin politikë të "Shqipërisë së re". Një lëvizje që e ka marrë emrin nga protesta qytetare që vazhdon në bulevardin qendror të Tiranës prej rreth 40 ditësh.
Elisa Spiropali është e fundit që ka rënë në kurthin e shqiptarit me tre identitete dhe disa pasaporta, kurse natyra dhe detaje nga takimi i tyre në kryeqytet nuk janë bërë ende publike...
© Newsbomb.al
