Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Tiranë, Alma Lama ka bërë të ditur këtë të martë se Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Erzen Tola është larguar nga detyra.
Lajmin e ka bërë publik përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku e cilëson largimin e Tolës si një zhvillim pozitiv për institucionin dhe sistemin arsimor. Në reagimin e saj, Lama rendit një sërë kritikash ndaj ish-zyrtarit, duke e akuzuar se gjatë ushtrimit të detyrës ka mbajtur qëndrime të njëanshme, ka cenuar të drejtat sindikale dhe ka ndërmarrë veprime që kanë sjellë pasoja administrative dhe ligjore për Ministrinë e Arsimit.
“Për vite me radhë ai u bë simbol i arrogancës administrative, i interpretimit të ligjit sipas interesit dhe i shkeljes së lirive e të drejtave sindikale.
Për dy vite radhazi diskriminoi me shkresa zyrtare SBASH-in, duke favorizuar organizata të caktuara sindikale dhe duke ndërhyrë në mënyrë të papranueshme në jetën sindikale. Këto veprime u konstatuan edhe nga institucionet përgjegjëse, si KMD, duke e çuar Ministrinë e Arsimit në procese gjyqësore që mund të ishin shmangur.
Veprimet e tij sollën edhe ndëshkimin e një Zyre Vendore Arsimore, me 5 milionë lekë gjobë nga Inspektoriati i Punës. Dëmin nuk e pagoi ai, por shteti dhe taksapaguesit”, shkruan ajo ndërkohë që deri në këto momente vlen të theksohet se Ministria e Arsimit nuk ka reaguar zyrtarisht për të konfirmuar ose përgënjeshtruar largimin e Erzen Tolës nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm.
Reagimi i Alma Lamas:
Largohet një nga zyrtarët më të dëmshëm që ka njohur Ministria e Arsimit.
Largohet Sekretari i Përgjithshëm, E. Tola.
Për vite me radhë ai u bë simbol i arrogancës administrative, i interpretimit të ligjit sipas interesit dhe i shkeljes së lirive e të drejtave sindikale.
Për dy vite radhazi diskriminoi me shkresa zyrtare SBASH-in, duke favorizuar organizata të caktuara sindikale dhe duke ndërhyrë në mënyrë të papranueshme në jetën sindikale. Këto veprime u konstatuan edhe nga institucionet përgjegjëse, si KMD, duke e çuar Ministrinë e Arsimit në procese gjyqësore që mund të ishin shmangur.
Veprimet e tij sollën edhe ndëshkimin e një Zyre Vendore Arsimore, me 5 milionë lekë gjobë nga Inspektoriati i Punës. Dëmin nuk e pagoi ai, por shteti dhe taksapaguesit.
Ai u shfaq publikisht si mbështetës i një aleance sindikale, duke rrëzuar çdo pretendim për paanshmëri të administratës. Bashkëpunim e bëri publik edhe përpara Komisionit të Edukimit në Kuvendin e Shqipërisë në mars të këtij viti në një moment tepër delikat për gati 11 mijë mësues në sistem.
Me petkun e "ekspertit të ligjit", ndikoi në zvarritjen dhe deformimin e zgjidhjes së problemit të njohjes së diplomave të mësuesve, duke dëmtuar interesat e tyre.
Ai do të mbahet mend si zyrtari që e përdori shkresën si mjet presioni dhe ligjin si mjet interpretimi selektiv.
Largimi i tij është një lajm i mirë për Ministrinë e Arsimit, për AKAP-in, DRAP-et, ZVA-të dhe mbi të gjitha për mësuesit, të cilët meritojnë institucione që zbatojnë ligjin me paanshmëri dhe respektojnë të drejtat e çdo qytetari e të çdo organizate.
Ndryshimi i një personi nuk mjafton. Ndryshimi duhet të jetë edhe në kulturën e administrimit: më shumë ligj, më shumë përgjegjësi dhe zero tolerancë ndaj abuzimit me pushtetin
