Hapësire reklamuese

Bota

“Ishim miq!” ZBULOHET porositësi i atentatit ndaj gazetarit të RAI-t, është biznesmeni i njohur, hiqen nga rrethi i kuq grupet kriminale shqiptare (DETAJE-EMRAT)

Shkruar nga Newsbomb
“Ishim miq!” ZBULOHET porositësi i atentatit ndaj gazetarit
Valter Lavitola dhe Sigfrido Ranucci së bashku në restorant në vitin 2023 (Foto: Il Riformista)

Detaje të reja janë mësuar nga atentati me eksploziv ndaj gazetarit investigativ të RAI 3, Sigfrido Ranucci, ndërsa hetimet në Itali kanë marrë një kthesë të papritur. Mediat italiane raportojnë se nën hetim si porositës i mundshëm i sulmit është vënë biznesmeni dhe ish-gazetari Valter Lavitola, një emër i njohur për drejtësinë italiane, i dënuar më herët për zhvatje ndaj ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 16 tetorit 2025, kur rreth 1 kilogram tritol shpërtheu pranë banesës së gazetarit në Pomezia, në periferi të Romës. Shpërthimi shkatërroi dy automjete dhe dëmtoi murin rrethues të banesës, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

Në qershor të vitit 2026, autoritetet italiane arrestuan katër persona të dyshuar si autorë të vendosjes së lëndës plasëse, ndërsa hetimet e Drejtorisë Antimafia të Prokurorisë së Romës u zgjeruan edhe ndaj Valter Lavitolës, i cili dyshohet se mund të ketë qenë organizatori i atentatit.

Sipas rindërtimit të prokurorisë, Lavitola dyshohet se ka përdorur kamerierin e restorantit të tij, Clesio Tavares Gomes, si ndërmjetës mes tij dhe autorëve të dyshuar të sulmit. Pas shpërthimit, ai dyshohet se e ka dërguar kamerierin në Kamerun për të shmangur hetimet.

Nën hetim, përveç Lavitolës, janë edhe Pellegrino D'Avino, Antonio Passariello, Saverio Mutone, Luca Amato, Marika De Filippis dhe Clesio Tavares Gomes. Ata akuzohen, në shkallë të ndryshme, për bashkëpunim në tentativë masakre, posedim dhe përdorim të paligjshëm të eksplozivëve, dëmtim të rëndë dhe kërcënime të rënda, me rrethanë rënduese të metodave mafioze.

Sipas hetuesve, Lavitola ka qenë nxitësi i veprimit, ndërsa Gomes ka shërbyer si ndërmjetës mes porositësit të dyshuar dhe autorëve të atentatit.

“Ishim miq!” ZBULOHET porositësi i atentatit ndaj gazetarit
Valter Lavitola dhe Sigfrido Ranucci së bashku në restorant në vitin 2023 (Foto: Il Riformista)

Vetë gazetari Sigfrido Ranucci ka reaguar i tronditur pas zhvillimeve të fundit. "Jam i shokuar. Unë dhe Lavitola jemi miq. Nuk mund ta besoj", është shprehur ai për mediat italiane.

Ranucci ka konfirmuar se e njihte prej vitesh Lavitolën dhe se herë pas here frekuentonte edhe restorantin e tij në Romë. Pikërisht kjo marrëdhënie e bën edhe më të papritur pistën e re hetimore.

Prokurorët po përpiqen të zbardhin motivin e sulmit dhe nëse ai lidhet me aktivitetin profesional të gazetarit, i cili prej vitesh drejton emisionin investigativ "Report" në RAI 3, apo nëse pas ngjarjes fshihen motive personale.

Sipas dosjes hetimore, një javë para atentatit, katër të arrestuarit kishin kryer vëzhgime pranë banesës së gazetarit. Antonio Passariello dyshohet se kishte siguruar automjetin e përdorur në operacion, ndërsa pjesëtarët e tjerë kishin monitoruar zonën dhe më pas kishin vendosur eksplozivin para shtëpisë së Ranuccit.

“Ishim miq!” ZBULOHET porositësi i atentatit ndaj gazetarit
Pamje nga atentati i tetorit te vitit te kaluar

Ndërkohë, pista e përfshirjes së Kamorrës është përjashtuar nga hetuesit. Sipas mediave italiane, kjo hipotezë u rrëzua si për shkak të profilit kriminal të autorëve të dyshuar, ashtu edhe pas një emaili anonim të konsideruar të besueshëm, i cili pretendonte se atentati nuk kishte lidhje me klanin Moccia apo me organizatat mafioze.

Po ashtu, hetuesit kanë përjashtuar edhe çdo pistë që lidhet me grupe kriminale shqiptare, duke u fokusuar tashmë te marrëdhëniet e Valter Lavitolës me të arrestuarit dhe motivet që mund ta kenë shtyrë, sipas dyshimeve të prokurorisë, të organizonte sulmin ndaj gazetarit.

Valter Lavitola pritet të merret në pyetje nga prokurorët, ndërsa hetimet e Prokurorisë së Romës, të drejtuara nga Francesco Lo Voi, vijojnë për të përcaktuar nëse atentati ishte një hakmarrje për aktivitetin investigativ të Ranuccit apo kishte motive të tjera personale.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese