Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u bëri thirrje aleatëve të paraqesin “plane të qarta, konkrete dhe të besueshme” për arritjen e objektivave të reja të shpenzimeve për mbrojtjen, në prag të samitit vjetor të aleancës në Ankara.
Rutte i bëri këto komente në kryeqytetin turk, përpara nisjes së samitit dyditor që fillon nesër.
Deklaratat e tij vijnë në një moment vendimtar për NATO-n, ndërsa Shtetet e Bashkuara po reduktojnë gradualisht rolin e tyre në sigurinë e Evropës dhe po u kërkojnë aleatëve të marrin një pjesë më të madhe të barrës së shpenzimeve.
Vitin e kaluar 32 vendet ranë dakord të investojnë 5% të produktit të tyre të brendshëm bruto në mbrojtje, 3.5% në buxhetet e tyre të mbrojtjes dhe 1.5% në rrugë, ura dhe porte, në mënyrë që trupat dhe pajisjet të lëvizin më shpejt në kohë konflikti.
Spanja e mbështeti objektivin, por deklaroi se mund të përmbushë kërkesat e sigurisë së NATO-s pa arritur këtë nivel shpenzimesh.
Ndërkohë, disa vende anëtare ende nuk e kanë përmbushur objektivin e mëparshëm të aleancës prej 2% të PBB-së.
I pyetur se çfarë do të ndodhte me aleatët që nuk kanë një plan të qartë, zoti Rutte tha: “Nëse një ose dy ende duhet të bindin, ne kemi mënyra për ta bërë këtë.”
