Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin ditët e fundit mund të shkaktojnë probleme të ndryshme shëndetësore si pasojë e të nxehtit.
Mjekët e Shërbimit të Urgjencës Polivalente në QSUT bëjnë të ditur se deri më tani nuk janë paraqitur raste të goditjes nga i nxehti, megjithatë theksojnë se çdo sezon veror nuk kanë munguar rastet.
Ndërkohë, numri i urgjencave ditore aktualisht i kalon 400 raste, ku pjesa më e madhe e pacientëve janë persona që vuajnë nga sëmundje kronike.
Ekspertët e Shëndetit Publik u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta. Ata rekomandojnë shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut, për të moshuarit, të sëmurët kronik, gratë shtatzëna dhe fëmijët nën 5 vjeç.
