Drejtoria e Hetimit Tatimor ka reaguar pas akuzave të bëra publikisht nga kompania "Vlora Estate", duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe duke theksuar se aksioni kundër informalitetit në sektorin e pasurive të paluajtshme nuk lidhet me një subjekt të vetëm. Burime nga Hetimi Tatimor bëjnë me dije se kontrollet në sektorin e "real estate" kanë nisur prej disa muajsh dhe janë shtrirë te të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë fushë.
Sipas të njëjtave burime, pretendimet e kompanisë nuk qëndrojnë, pasi të gjitha transaksionet e shitjeve janë dokumentuar dhe evidentuar përmes serverëve, kompjuterëve dhe dokumentacionit të administruar gjatë procesit të verifikimit. Për këtë arsye, thuhet se deklaratat publike të bëra nga subjekti gjatë dhjetë ditëve të fundit nuk përputhen me faktet e konstatuara nga grupet e hetimit.
Hetimi Tatimor sqaron gjithashtu se gjetjet e evidentuara në raportin përfundimtar, të cilat lidhen me dyshime për evazion fiskal, i janë referuar organeve kompetente. Dosja, sipas burimeve zyrtare, i është përcjellë Prokurorisë së Vlorës, e cila ka regjistruar procedimin penal dhe ka nisur hetimet për rastin. Pavarësisht akuzave të bëra nga kompania, Drejtoria e Hetimit Tatimor thekson se operacioni kundër evazionit fiskal dhe abuzimeve do të vijojë, duke garantuar zbatimin e ligjit për çdo subjekt që rezulton në shkelje.
Kujtojmë që Migen Xhelo, administrator i kompanive "Vlora Estate" dhe "Invest 1 Group Sh.p.k", i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama dhe denoncon, ato që ai i quan veprime abuzive të Administratës Tatimore, që i kanë vendosur një gjobë prej 300 milionë lekësh të vjetra, pasi kanë deklaruar se kanë zbuluar 1 miliardë lekë evazion me shitjen e pronave në Vlorë.

