Një drogë e re sintetike ka alarmuar autoritetet në Kinë. Bëhet fjalë për tiletaminën, një anestetik veterinar që përdoret për qentë dhe macet, i cili ka filluar të përdoret nga të rinjtë në klubet e natës për efektet e tij halucinogjene.
Që nga 1 korriku, Pekini e ka futur tiletaminën në listën e substancave më të kontrolluara, duke e trajtuar me të njëjtën rreptësi si fentanilin.
Shumë të rinj e kanë përdorur përmes cigareve elektronike të modifikuara, duke përjetuar halucinacione.
Nga mesi i nëntorit 2025 deri ne mes të janarit 2026, mbi 1,600 persona u arrestuan për përdorim të kësaj substance. Ekspertët thonë se tiletamina u përhap si “zëvendësim” pasi Kina ndaloi substanca të tjera në cigaret elektronike.
Autoritetet paralajmërojnë se edhe dozat e vogla mund të shkaktojnë dëmtime neurologjike dhe konfuzion, ndërsa sasitë e larta rrezikojnë të sjellin depresion të frymëmarrjes apo edhe vdekje.
Tani, kushdo që prodhon ose shpërndan tiletaminë rrezikon dënime të rënda, deri në burgim të përjetshëm ose dënim me vdekje.
Përveç kësaj, është ndaluar shitja online e produkteve veterinare që përmbajnë këtë substancë, e cila tashmë mund të përdoret vetëm me recetë në spitalet veterinare.
