Hapësire reklamuese

Aktualitet

EKSKLUZIVE/ Shqipëria dhe Izraeli nisin hetimet për mashtruesin që futi në kurth politikanët: Indrit Aliu ka aftësi të jashtëzakonshme për të depërtuar mes tyre (DETAJET)

Shkruar nga Newsbomb
EKSKLUZIVE/ Shqipëria dhe Izraeli nisin hetimet për mashtruesin
Indrit Aliu alias Indrit Kolleshi alias David Isaac

Newsbomb.al mëson ekskluzivisht se autoritetet në Shqipëria dhe ato në Izrael kanë nisur hetimet për shtetasin shqiptar me tre identitete, Indrit Aliu alias Indrit Kolleshi alias David Isaac, i cili ka futur në kurth politikanë e biznesmenë shqiptarë.

Një burim i ka konfirmuar redaksisë se ky shtetas i dënuar zyrtarisht për mashtrim me pasoja të rënda dhe i arrestuar disa herë nga autoritetet, është në vëmendjen e plotë të organeve të drejtësisë në Shqipëri dhe në Izrael, kur rezulton se ka nënshtetësi. (!!!)

"Personi në fjalë ka aftësi të jashtëzakonshme për të depërtuar përmes pagesave dhe favoreve në radhët e politikanëve shqiptarë, siç keni publikuar dhe ju në media", është shprehur burimi për newsbomb.al.

Dhe në fakt ky pohim provohet dhe nga "karriera" që Indrit Aliu arriti të krijonte në vendin tonë duke mashtruar disa nga biznesmenët më të fuqishëm, deputetë dhe deri ministra në kabinetin qeveritar, herë duke pretenduar se ishte gjeneral në pension nga Izraeli dhe herë si zyrtar i disa ministrive.

Gjithashtu, redaksia ka mundur të mësojë ekskluzivisht se identiteti i parë i këtij shtetasi ka qenë Indrit Aliu, i lindur në qytetin e Vlorës në vitin 1984 dhe deri në vitin 2025, ka rezultuar se ka qenë banor i këtij qarku.

Në vitin 2021, ai ka lidhur martesë në qytetin e Vlorës dhe pikërisht në këtë ditë ka vendosur që të mos mbante më mbiemrin e tij, por të marrte atë të bashkëshortes, Kolleshi.

Prej këtij momenti, identiteti i tij i ri ka qenë Indrit Kolleshi dhe me banim në qytetin bregdetar. Dy ditë para ndërrimit të viteve, më 29 Dhjetor 2025, ai ka aplikuar në portalin e-Albania për ndryshimin e vendbanimit, nga Vlora në Njësinë nr.5 në Tiranë.

EKSKLUZIVE/ Shqipëria dhe Izraeli nisin hetimet për mashtruesin
Indrit Aliu alias Indrit Kolleshi alias David Isaac, ne takime te ndryshme si "zyrtar"

Po ashtu, redaksia e newsbomb.al ka mundur të mësojë ekskluzivisht se ndonëse Indrit Aliu alias Indrit Kolleshi nuk rezulton të ketë lënë asnjëherë shtetësinë shqiptare, në vitin 2008 ai ka siguruar një dokument nga Ministria e Brendshme e Izraelit me identitetin David Isaac.

Më datë 13 Janar 2026, Indrit Kolleshi ka paraqitur pranë Gjendjes Civile në Tiranë dokumentin e vitit 2008 lëshuar nga Izraeli dhe ka marrë identitetin e ri, David Isaac.

Nisur nga e shkuara e tij si një mashtrues i klasit të lartë dhe me aftësi të jashtëzakonshme për të depërtuar në elitën e politikës dhe biznesit, autoritetet në Shqipëri dhe në Izrael kanë nisur hetimet për të, pas dyshimeve se edhe dokumenti i vitit 2008 i Ministrisë së Brendshme të Izraelit, mund të jetë i falsifikuar.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese