Hapësire reklamuese

Politikë

Motoçikletat e konfiskuara nga krimi i jepen Policisë së Shtetit! Lamallari u vlerëson efektivëve edhe vetëpërmbajtjen gjatë protestave

Shkruar nga Newsbomb
Motoçikletat e konfiskuara nga krimi i jepen Policisë së
Efektivet dhe motocikletat

Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, ka marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të të dhjetëra motoçikletave të reja për Policinë e Shtetit, të cilat do të përdoren nga Policia Rrugore dhe forcat speciale "Shqiponja".

Ky investim është financuar me pasuritë e konfiskuara nga krimi. Në fjalën e tij, ministri Lamallari theksoi se ky investim është një dëshmi konkrete e mënyrës se si shteti i rikthen shoqërisë pasuritë e përfituara nga krimi.

“Sot është një ditë e mirë për Policinë e Shtetit. Jo vetëm sepse flotës së saj i shtohen dhjetëra motoçikleta të reja që do të përdoren nga Policia Rrugore dhe forcat 'Shqiponja', por sepse këto mjete përfaqësojnë një vizion të qartë të qeverisë sonë në luftën kundër krimit", tha ai.

Teksa më tej ai falenderoi efektivët e policisë për profesionalizmin e treguar përgjatë protestave të ditëve të fundit.

"Ju dhe kolegët tuaj keni kaluar një periudhë të ngarkuar dhe sfiduese, jo vetëm në terren, por edhe në sheshin e pamëshirshëm të opinionit publik. Keni përballuar provokime, akuza dhe gjykime të nxituara, aty ku shpesh rrjetet sociale flasin para se të flasin vetë faktet dhe të shpallin dhe gjyqet publike. Mendoni se çfarë do të thotë të përballesh me një urrejtje të pafiltruar, ku ‘heroi’ apo deliranti revolucionar, ju akuzon publikisht për dhunë, një teatro-realitet të inskenuar, me qëllimin  e vetëm për t'u bërë viral. Në skena të tilla, të vetmit pa faj mbeten dy palë, punonjësi i policisë, i cili duhet të ruajë me çdo kusht dinjitetin me durim, sepse kështu e kërkon pozicioni i tij, dhe vetë akuzuesi, në disa raste, i cili, në çdo rast që kemi dëshmuar së fundmi, ka më shumë nevojë për kujdes, ekzaminime dhe mundësisht për trajtim sesa për përgjegjësi ligjore.

Vazhdoni kështu, pa e humbur kurrë durimin dhe pa rënë kurrë pre e provokimeve. Uniforma që mbani kërkon vetëpërmbajtje përballë atyre që nuk respektojnë as ligjin dhe as institucionet. Policia nuk duhet të përgjigjet me emocion, ajo përgjigjet me ligj. Ky është dallimi mes shtetit dhe kaosit", tha Lamallari.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese