Ish-ministrja e Financave dhe ish-deputetja socialiste Ermelinda Meksi, ka reaguar pasditen e sotme në lidhje me raportimet e bëra për financimin e koncertit të artistit Kanye West me 4.2 milionë euro nga buxheti i shtetit, për të cilin bën thirrje për transparencë dhe kontroll parlamentar.
“Nisur nga lajmet e publikuara në media dhe nga publikimi i aktit normativ lidhur me financimin e koncertit të artistit Kanye West me fondin rezervë të buxhetit të shtetit, konsideroj se është detyrim i Kuvendit të ushtrojë kontrollin e tij kushtetues dhe parlamentar mbi këtë vendimmarrje.
Qytetarët kanë të drejtë të marrin një shpjegim të qartë nëse janë përmbushur kushtet e "nevojës" dhe "urgjencës" për nxjerrjen e këtij akti normativ, si dhe nëse përdorimi i fondit rezervë është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i ligjit janë parime themelore të administrimit të financave publike dhe kushte të domosdoshme për ruajtjen e besimit të qytetarëve te institucionet” shkruan Meksi në reagimin e bërë pasditen e kësaj të marte.
Më tej, Meksi shton se publikimi i aktit normativ e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim institucional mbi bazën ligjore të kësaj vendimmarrjeje dhe arsyet që justifikojnë përdorimin e këtyre fondeve.
“Publikimi i këtij akti e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim institucional mbi bazën kushtetuese dhe ligjore të kësaj vendimmarrjeje, si dhe mbi arsyet që justifikojnë përdorimin e fondit rezervë.
Një shqyrtim i plotë, transparent dhe objektiv është thelbësor për të garantuar ligjshmërinë, mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e besimit të qytetarëve në administrimin e fondeve publike” shton Meksi.
Në përmbyllje të reagimit të saj, Meksi shprehet se në një shtet të së drejtës çdo përdorim i fondeve publike duhet të jetë jo vetëm i ligjshëm, por edhe i arsyetuar, proporcional dhe në funksion të interesit publik.
Nga ana tjetër kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, përmes një video-mesazhi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, theksoi se koncerti në fjalë është i organizuar privatisht, dhe që financohet nga sponsorët dhe shitja e biletave.
Ndërsa qeveria kishte nënshkruar fillimisht vetëm një letër gatishmërie për të garantuar mikpritjen, sigurinë dhe mbështetjen logjistike, pa marrë përsipër asnjë angazhim financiar.
Reagimi i plotë i Ermelinda Meksit:
Transparenca dhe respektimi i Kushtetutës: detyrim ndaj qytetarëve
Nisur nga lajmet e publikuara në media dhe nga publikimi i aktit normativ lidhur me financimin e koncertit të artistit Kanye West me fondin rezervë të buxhetit të shtetit, konsideroj se është detyrim i Kuvendit të ushtrojë kontrollin e tij kushtetues dhe parlamentar mbi këtë vendimmarrje.
Qytetarët kanë të drejtë të marrin një shpjegim të qartë nëse janë përmbushur kushtet e "nevojës" dhe "urgjencës" për nxjerrjen e këtij akti normativ, si dhe nëse përdorimi i fondit rezervë është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i ligjit janë parime themelore të administrimit të financave publike dhe kushte të domosdoshme për ruajtjen e besimit të qytetarëve te institucionet.
Kuvendi, si organi që ushtron kontrollin parlamentar dhe shqyrton/miraton aktet normative të Këshillit të Ministrave, ka përgjegjësinë të verifikojë nëse, në këtë rast, janë respektuar kërkesat kushtetuese dhe ligjore për nxjerrjen e aktit normativ, si edhe kriteret që rregullojnë përdorimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit.
Publikimi i këtij akti e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim institucional mbi bazën kushtetuese dhe ligjore të kësaj vendimmarrjeje, si dhe mbi arsyet që justifikojnë përdorimin e fondit rezervë.
Një shqyrtim i plotë, transparent dhe objektiv është thelbësor për të garantuar ligjshmërinë, mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e besimit të qytetarëve në administrimin e fondeve publike.
Në një shtet të së drejtës, çdo përdorim i fondeve publike duhet të jetë jo vetëm i ligjshëm, por edhe i arsyetuar, proporcional dhe në funksion të interesit publik.
Vetëm një shqyrtim serioz, transparent dhe të bazuar në Kushtetutë dhe ligj garanton se çdo vendimmarrje që prek fondet publike i shërben interesit të qytetarëve, forcon besimin te institucionet demokratike dhe mbron parimet e shtetit të së drejtës
E.Meksi, 7 Korrik 2026


