Ish-deputeti i Partisë Socialiste Enver Reçi pretendon se organizimi i socialistëve në terren mbështetet te një administratë e fryrë, që përdoret për fushatat zgjedhore dhe ushtrimin e presionit ndaj familjeve të punonjësve.
Në një intervistë të dhënë për “Quo Vadis” Reçi është shprehur se për rrjedhojë të protestave qytetare të organizuara prej 38 ditësh në zemër të kryeqytet shqiptar, mundet që të realizohet largimi i Edi Ramës nga posti i kryeministrit.
I pyetur se kush mund ta zërë karrigen e Ramës, ish-socialisti u shpreh se mjafton të jetë dikush që në radhë të parë është njeri.
“Shiko, më tha dikush, ore do ik. Ja iku Edi Rama se kërkohet…Kush do vijë? E di si jam përgjigjur? Të vijë një që është njeri në radhë të parë” tha Reçi.
Reagimi i ish-deputeti vjen në një moment kur qindra qytetarë bëhen bashkë në zemër të Tiranës duke kërkuar me këmbëngulje ndryshim të klasës politike.
Pjesë nga intervista:
Enver Reçi: Format e organizimit poshtë të partisë kanë mbetur deri diku ashtu siç kanë qenë. Që ndihmojnë shumë në fushatat e zgjedhjeve, pa llogaritur pastaj dhe faktorë të tjerë të cilët bëjnë të mundur që të vini në këto lloj…
Borakaj: Ka një perceptim që Partia Socialiste është shumë mirë e organizuar, organizuar deri në qelizë. Të paktën ky është perceptimi që i thuhet qytetarëve. Domethënë edhe kur ishte historia për zgjedhjet për bashkinë e Tiranës ku për Ogerta Manastirliu e më pas doli dhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese që nuk e lejoi të mbaheshin. Sërish thanë këta janë njerëz, janë në terren, do punojnë aty, do rrinë aty, do mbledhin hallet e qytetarëve sepse ne jemi partia që jemi gjatë gjithë kohës me qytetarët. Është kështu në fakt?
Enver Reçi: Jo, nuk është kështu. Ky është thjesht perceptimi. Ka një administratë të fryrë jashtëzakonisht të madhe e cila i shërben realisht fushatës së zgjedhjeve. Është bërë e fryrë në mënyrë të tillë vetëm që të sigurojë nëpërmjet familjeve të personave të cilët punojnë, nëpërmjet një presioni që u bëhet këtyre familjeve që duhet të votojnë për PS-në. Nis dhe nga faktori Berishë, nis dhe faktorë të tjerë të cilët e bëjnë se duhet pranuar përpara mikrofonit është ekselent.
Borakaj: Po brenda ambienteve të Partisë Socialiste si është?
Enver Reçi: Shiko, më tha dikush, ore do ik. Ja iku Edi Rama se kërkohet…Kush do vijë? E di si jam përgjigjur? Të vijë një që është njeri në radhë të parë.

