Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka testuar besnikërinë e aleatëve të NATO-s, duke u kërkuar mbështetje në qëndrimin e ashpër ndaj Iranit.
Para samitit të Aleancës në Ankara, ai kritikoi vendet anëtare për dy çështje kryesore, e para për mungesën e investimeve të mjaftueshme në mbrojtje dhe së dyti për mosangazhimin në përpjekjet amerikano-izraelite kundër Teheranit.
“Unë i vendosa në provë ata. Doja të shihja se kush është me ne dhe kush jo" është shprehur Trump sipas burimeve diplomatike.
Samiti i këtij viti pritet të shoqërohet me tensione, pasi presidenti amerikan po ushtron presion të fortë mbi partnerët për të rritur buxhetet ushtarake dhe për të mbështetur kursin e tij ndaj Iranit.
Në një tjetër deklaratë, Trump foli edhe për konfliktin në Ukrainë, duke lënë të kuptohet se mund të ketë zhvillime drejt paqes.
Sipas tij, si Kievi ashtu edhe Moska po tregojnë gatishmëri për një marrëveshje.
Tema e ndihmës ushtarake për Ukrainën pritet të mbizotërojë diskutimet në Ankara, ndërkohë që qëndrimi i Trump ndaj Iranit ka hapur debat të gjerë mes vendeve anëtare të NATO-s.
