Një 57-vjeçar shqiptar dhe një 42-vjeçar italian janë arrestuar nga karabinierët e Policisë në Bolonja, pasi u kapën në posedim të 4.4 kilogramëve marijuanë.
Sipas autoriteteve italiane, gjatë patrullimeve në zonën e Valsamoggias, efektivët vunë re një automjet që lëvizte me shpejtësi, duke ngritur dyshime. Pas ndalimit të mjetit, dy personat që ndodheshin në të, një shqiptar 57-vjeçar dhe një italian 42-vjeçar, të dy me precedentë penalë, shfaqën shenja të forta nervozizmi.
Gjatë kontrollit, karabinierët konstatuan një erë të fortë që dyshohej se vinte nga lëndë narkotike. Më pas, në bagazhin e automjetit u gjetën 4.4 kilogramë marijuanë të fshehura në pjesën e pasme.
Nga verifikimet rezultoi se 57-vjeçari shqiptar ishte gjithashtu i shpallur në kërkim prej rreth një viti nga Zyra e Zbatimit të Dënimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme në Gjykatën e Apelit të Bolonjës. Ai duhej të vuante një dënim prej tetë muajsh burg për veprën penale të arratisjes, të kryer në vitin 2020 në Ravenna.
Me urdhër të Prokurorit të Bolonjës, të dy të arrestuarit u dërguan në burgun "Rocco D'Amato", ku do të përballen me procedurat gjyqësore. Ndërkohë, karabinierët kanë nisur hetime për të identifikuar origjinën dhe destinacionin e lëndës narkotike të sekuestruar.
