Një zjarr i madh ka rënë mesditën e sotme në një fermë blegtorie në Patos, duke shkaktuar dëme të konsideueshme dhe humje në bagëti.
Flakët mësohet se u përhapën me shpejtësi, duke u favorizuar nga temperaturat e larta dhe sasia e madhe e ushqimit për bagëtitë. Fermerët dhe banorët e zonës u përpoqën të shpëtonin kafshët, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat zjarrfikëse të Patosit.
Për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit në ndihmë u angazhuan edhe zjarrëfikësit e Fierit. Pas disa orëve punë intensive, zjarrfikësit arritën ta vinin nën kontroll zjarrin.
Mbi 10 krerë bagëti janë djegur ndërsa janë shkrumbuar sasi të mëdha ushqimi për to, makineri bujqësore dhe stalla e fermës. Dëmet paraprakisht vlerësohen në rreth 7 milionë lekë.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes ndodhen edhe shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit.
