Hapësire reklamuese

Aktualitet

Nën akuzë për korrupsion zgjedhor, Kristian Shkreli DËSHMON: Kam folur për problemet dhe kam kërkuar brohoritje, s’kam premtuar gjë për VOTA

Shkruar nga Newsbomb
Nën akuzë për korrupsion zgjedhor, Kristian Shkreli DËSHMON:
Kristian Shkreli

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i cili është marrë i pandehur nga SPAK për korrupsion aktiv në zgjedhje, këtë të martë është pyetur si dëshmitar në procesin gjyqësor në ngarkim të tij.

Ai ka mohuar akuzat para gjykatës, ku edhe ka deklaruar se nuk ka premtuar apo ofruar përfitime në këmbim të votës. Duke shtuar se komunikimet e përgjuara nga SPAK lidhen vetëm me zgjedhjen e problematikave të qytetarëve. Ndërsa theksoi se mesazhi për të cilin prokuroria ka ngritur dyshime ka të bëjë me faktin që sipas tij, ai kishte kërkuar që në takimin elektoral të kishte brohoritje, jo ndikim te zgjedhësit.

“Nuk kam ofruar dhe premtuar asgjë në këmbim të votës. Fshati Stajkë kishte problematikë që në vitin 2019 me energjinë elektrike, unë çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve, unë mund të jem e sot në përgjim, dje mora një drejtor tjetër se kishte problem me dritat në një fshat tjetër, marr edhe drejtorin e spitalit kur ka problematikë e më vijnë ankesa, mesazhi që prokuroria thotë “jepi zjarr” është që unë kam kërkuar që në takimin elektoral që ishte lënë të kishte brohoritje, ovacione, jo të kem kërkuar vota apo t’kem ofruar të mira materiale apo vende pune.”, u shpreh ai.

Diskutime në sallë

Shkreli: Unë kam kërkuar që të vijnë sa më shumë njerëz në miting, si tek ai i PS-së dhe ai i PSD-së. Ka qenë situatë e tensionuar, 500 herë më kanë marrë në telefon për problemin e banorëve, nuk më pushonte telefoni nga ankesat. Banorët kishin 2 javë pa drita. Një frazë që prokuroria thotë se i kam thënë banorëve, “ua kam dhënë unë lekët”, është që t’i bindja qytetarët se defekti i linjës do të rregullohej, por unë s’i kam dhënë asnjë lek OSHEE-së.

Agjentët e BKH-së erdhën te banesa dhe lokali im, ishin më shumë forca policie. Çunat e nderuar më kontrolluan, më morën telefonin që kisha në dorë. I pyeta çfarë ju duhet, më thanë: “Më jep password-in e celularit.” I thashë: “Patjetër”, ia hapa celularin, ia dhashë.

Prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi: I pandehur, janë disa biseda në celular që i ke thënë: “Të martën e ke të kryme, veç shife mos po na vonon veç për t’ia dhënë zjarr, si me qenë për mua jua di për nder.”

Për çfarë flitet në këtë përmbajtje të kësaj bisede?

I ke thënë në celular: “Nuk e presim dot shtetin se shteti e ka në terezi.” Çfarë ke dashur me thënë?

“Sot më prunë preventivin”, i ke thënë. Çfarë pune i kreve?

Shkreli: E kam thënë si batutë, me i mbushur mendjen që këtë problem po e zgjidh unë. Fjalën “zjarr” e kisha që te mitingu i Tom Doshit të vinin sa më shumë njerëz.

Kujtojmë se Shkreli është marrë nën hetim nga SPAK, pasi dyshohet se në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit bleu vota për PSD-në e Tom Doshit. Ai akuzohet se gjatë fushatës zgjedhore  u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.

Pas dyshimeve se në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Shkreli bleu vota në favor të PSD-së së Tom Doshit, SPAK i sekuestroi atij telefonit.  Gjithashtu, në kuadër të hetimeve, Prokuroria e Posaçme sekuestroi edhe aparatet celularë të disa eksponentëve të tjerë të PSD-së të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.

Kristian Shkreli është zgjedhur kryebashkiak i Vaut të Dejës në zgjedhjet e 14 Majit 2023, nën siglën e Partisë Socialiste, por mesa duket situata ka ndryshuar edhe në bazë menjëherë pas krisjes së marrëdhënies mes aleatëve Rama-Doshi.

Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama i cili në takimin përmbyllës të fushatës në Vaun e Dejës, paralajmëroi kryebashkiakun që të mos “luante me dy porta”.

"Kristian mos më luaj me dy porta, Kristian! Mos më luaj me dy porta!", këto ishin fjalët e kreut të qeverisë dhe njëherësh kryesocialisit Rama gjatë takimit të zhvilluar me strukturat atje. Vetëm një javë nga dita e zgjedhjeve të 11 Majit, Rama e paralajmëroi publikisht kryebashkiakun socialist që të mos bëhej palë me Tom Doshin.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese