Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e sotme, në aksin Pushimi i Shoferit–Fier Shegan, në dalje të fshatit Rrupaj, ku dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën duke shkaktuar 3 të plagosur.
Burime për mediat bëjnë me dije se aksidenti ka ndodhur si pasojë e një parakalimi të gabuar.
Paraprakisht raportohet se mjeti me targa greke ka tentuar të parakalojë mjetin me targa italiane, duke shkaktuar kështu përplasjen e tyre.
Për pasojë bëhet me dije se mjeti targa italiane ka devijuar nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Në mjetin me targa italianë mësohet se udhëtonin tre persona, një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre i rritur, të cilët janë dhe të plagosurit e ngjarjes. Të tre janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës me dy autoambulanca, ku po marrin ndihmën mjekësore. Ndërsa bëhet me dije se janë jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë autoritetet vendase të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit. Pritet që në vijim të kemi një reagim zyrtarë nga ana e Policisë së Shtetit.
