Është publikuar foto e momentit kur ekipet e shërbimeve mjekësore dhe zjarrfikëses, zbresin 20-vjeçarin i cili fillimisht u lëndua rëndë nga shkëputja e vinçit në Prishtinë, e pas pak minutash pavarësisht ndërhyrjes për ta mbajtur në jetë, ai dha frymën e fundit në vendngjarje.
Siç mund ta shikoni dhe në foton e siguruar nga newsbomb.al, i riu shikohet i mbuluar nga gjaku, ndërsa shikohet momenti teksa disa persona e zbresin me kujdes nga lartësia, për ta ulur poshtë e për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore.
Ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e sotme në Prishtinë, ku vinçi u shkëput papritmas duke zënë poshtë dy të rinjtë, njëri prej të cilëve dha frymën e fundit në vendngjarje, ka shkaktuar irritim të figurave të njohura të politikës por dhe të medias.
Në lidhje me tragjedinë, ka reaguar ashpër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosja Mefail Bajqinovci, i cili thekson se të gjithë përgjegjësinë e ngjarjes e ka komuna e Prishtinës, ndërsa shton se Kryetari Përparim Rama duhet të fokusohet në problemet reale të qytetit.
Një tjetër reagim për situatën e rëndë ka ardhur dhe nga gazetari e analisti i njohur Enver Robelli, i cili në shkrimin e tij qëndron në të njëjtën linjë me Bajqinovci, duke kërkuar nga ana e qeveritarëve një fokus më të madh për qytetarët e vendit.
Postimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosja Mefail Bajqinovcit:
Vdes një i ri pas rënies së vinçit në Prishtinë dhe disa punëtorë u lënduan pasi një kran u rrëzua në Lagjen e Spitalit në Prishtinë.
Ngushëllime familjes per vdekjen e te riut, ndersa të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë.
Komuna e Prishtinës ka përgjegjësi të rrisë kontrollet dhe inspektimet në të gjitha punishtet, në mënyrë që të parandalohen aksidente të tilla dhe të mbrohen jetët e punëtorëve.
Kryetari Përparim Rama duhet të fokusohet në problemet reale të qytetit dhe në sigurinë e qytetarëve, e jo në tema gjeopolitike.
Postimi i gazetarit Enver Robellit:
Ishte vetëm 20-vjeçar. Kishte ëndrra. Sepse jetën e kishte para vetes. Vdiq sot. Në Prishtinë. Ia mori jetën vinçi në një vendpunishte, i cili u rrëzua. Aktualisht ky vend ka halle të tjera: llomotitjen 24-orëshe të llomotitësve parapolitikë për tema periferike. Deri në tragjedinë e radhës...
I plagosuri i dytë bëhet me dije se është në luftë me jetën në spital, ndërsa deri më tani identiteti i dyshes nuk është bërë publik akoma. Pritet të dalin detaje të reja në vijim.

