Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar datën 6 gusht për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit. Ajo bëri me dije se seanca do të mbahet në orën 10:00.
“Për shkak të lidhjes së datës për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjes së presidentit, jam kujdesur në lidhje me datat për shkak të hapësirës për takime. Sot ju njoftoj që seanca do të mbahet më 6 gusht në ora 10:00," tha Haxhiu.
Sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, nga data e mbajtjes së seancës konstituive nis periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet ta zgjedhin presidentin e ri. Në të kundërtën, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje.
Për shkak të mungesës së konsensusit mes partive në muajt e kaluar, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor, të tretat brenda një viti e gjysmë.
Caktimi i datës për seancë vjen në kohën kur bisedimet për një marrëveshje të mundshme për krijimin e institucioneve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar.
