Hapësire reklamuese

Rajoni

Detaje TRAGJIKE nga vdekja e 3 shqiptarëve në Maqedoni: Ejupi me gruan, u nisën drejt aeroportit për të marrë motrën e nuk u kthyen më kurrë

Shkruar nga Newsbomb
Detaje TRAGJIKE nga vdekja e 3 shqiptarëve në Maqedoni: Ejupi me
Viktimat: Fatmire Shabani, Xhenet dhe Ejup Tërnava

I afërmi i tre shtetasve shqiptarë nga Kosova që humbën jetën si pasojë e një aksidenti në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit-Bllacë, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka zbuluar detaje tragjike nga ngjarja që tronditi mbarë opinionin publik.

Sipas Fatmir Beqirit, Ejup Tërnava që e drejtonte automjetin, së bashku me bashkëshorten kishin shkuar për ta marrë motrën e tij në aeroportin e Shkupit, kur papritmas ndodhi aksidenti tragjik që u mori jetën në vend.

“Të gjitha informatat që ju i keni pasur janë të drejta, janë reale, nuk ka asnjë spekulim. Kontakti i fundit ka qenë nëpërmjet kamerave të shtetit maqedonas rreth orës 22:38,  pastaj ata kanë humbur gjurmët. Ejupi si shofer e ka humbur rrugën, ka hyrë në një rrugë qorre dhe prej aty  pastaj…ajo që ka ndodhur”, tha ai.

Më tej, i afërmi i viktimave pretendon se shkaku i aksidentit dyshohet të ketë qenë mungesa e sinjalistikës rrugore.

“Në kuptimin që asnjë informatë, asnjë sinjalistikë nuk ka ekzistu në vendin e ngjarjes. Unë jam prej të parëve që kam shkuar personalisht atje mbrëmë dhe s’kam parë asnjë shenjë”, është shrpehur Beqiri në një lidhje telefonike për T7.

Sakaq bëhet se Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut është angazhuar për transportimin e trupave të viktimave drejt vendlindjes së tyre.

Zemërthyer familjarë kanë reaguar për ngjarjen e rëndë, ndërsa bëjnë me dije se në vijim do të japin dhe detaje mbi ceremoninë mortore të viktimave.

Newsbomb.al i shpreh ngushëllime familjarëve për humbjen tragjike të 3 personave të tyre të zemrës.

Reagimi i Florian Qehajas:

U shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe miqve të Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit, të cilët humbën jetën tragjikisht mbrëmë në aksidentin e ndodhur në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Që nga marrja e informacionit për rastin, Ambasada e Republikës së Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, si dhe me familjarët e të ndjerëve, për të ofruar ndihmën e nevojshme gjatë gjithë trajtimit të rastit.

Pas përfundimit të procedurave përkatëse nga autoritetet kompetente, trupat e pajetë pritet të transportohen në Republikën e Kosovës.

Në këto çaste të rënda shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet dhe të dashurit e të ndjerëve. U prehshin në paqe!

Reagimi i të afërmit të viktimave:

Me zemër të thyer dhe me pikëllim të thellë ju njoftojmë se, si pasojë e një aksidenti të rëndë në Maqedoninë e Veriut, nipi ynë Ejupi, mbesa jonë Fatmirja dhe kunata jonë Xheneta kanë marrë udhën e amshimit...

Tre shpirtra të bardhë iu bashkuan parajsës, ndërsa neve na mbetet t'i kujtojmë me dashni e të lutemi për ta. Për kohën dhe vendin e ceremonisë së varrimit do të njoftoheni me kohë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese