Disa ditë pasi bëri deklaratën skandaloze për spastrimin etnik të Kosovës, deputetët e opozitës në Serbi kanë mbledhur 53 firma, ku kërkojnë shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezana Paunovic.
Mësohet se nënshkrimet e deputetëve opozitarë i janë dorëzuar kryeministrit Gjuro Macut, ku kërkohet shkarkimi i menjëhershëm i ministres Paunovic. Por vlen të theksohet se për mocionin për shkaktimin e ministres, duhet të firmoseshin nga 60 deputetë.
Bëhet me dije se kjo Iniciativë ka filluar nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë dhe është përkrahur nga disa grupe opozitare, përfshirë edhe deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Ky i fundit, në një reagim në rrjetet sociale, shkruan se nëse Macut refuzon shkarkimin e Paunoviç, ai do të marrë përgjegjësinë e vazhdimit të mandatit të saj.
“Nëse Gjuro Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë. Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë”, shkruan Kamberi.
