Pandeli Majko, ish-kryeministri shqiptar gjatë luftës së Kosovës, ka reaguar në lidhje me deklaratën skandaloze të ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila ditën e djeshme gjatë një emisioni televiziv ka deklaruar se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.
Majko shkruan se nuk është i habitur nga “sinqeriteti” i ministres serbe, të cilën e sheh si vazhdimësi të Sllobodan Millosheviç, i cili është burgosur për krime lufte.
Po ashtu ish-kryeministri socialist shkruan se në kohën kur krerët e UÇK-së, përballen me drejtësinë në Hagë, ata nuk do të gjykoheshin nëse Millosheviçi do të bënte atë që sot Paunoviç dëshiron.
“Vetëdija e “fajësisë” për një krim të “papërfunduar” në kohë paqe, është po aq i rëndë sa një krim i kryer në kohë lufte!”, thekson ai.
Postimi i plotë i Majkos:
Ministrja serbe Snezhana Paunoviç, ka deklaruar se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.
Janë kujtimet ato që na përcaktojnë! Ndaj askush nuk ka pse të ndihet shumë i “çuditur” nga deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç! Kjo deklaratë publike (e një ministreje), është ndërkaq, një “peshë” mbi qeverinë serbe e cila kërkon integrimin europian!
Kujtimi i një lufte të humbur e bën paqen frustruese! Ministrja serbe ka shprehur me “sinqeritet” atë vullnet kolektiv i cili, për fat të keq, ekziston ende brenda strukturave të politikës dhe shtetit serb!
Sinqeriteti publik i ministres Snezhana Paunoviç nuk është vetëm “guxim”, por edhe vazhdimësi e një politike të një njeriu si Sllobodan Millosheviç, të burgosur në Hagë për krime lufte!
… Sot, në Hagë po gjykohen edhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Nëse Sllobodan Millosheviçi do ta realizonte atë që dëshiron publikisht, ministrja serbe Snezhana Paunoviç, të akuzuarit nuk kishin pse gjykoheshin, sot në Hagë! Ata, sot, nuk do të ishin të gjallë!…
Vetëdija e “fajësisë” për një krim të “papërfunduar” në kohë paqe, është po aq i rëndë sa një krim i kryer në kohë lufte!
