Gjykata e Apelit ka zbutur masën e sigurisë për njërin prej rojeve private të kompanisë “Major Security”, të arrestuar pas përplasjes së dhunshme me protestuesit në zonën e Zvërnecit, ku një qytetar u tërhoq zvarrë.
Togat e zeza vendosën të ndryshojnë masën e sigurisë për Gazmend Vathin nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Ndërkohë për rojen tjetër private, Artur Grani, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” si dhe për pronarin e kompanisë "Major Security", Geraldo Bibën.
Ngjarja ndodhi më 29 maj në Zvërnec, ku gjatë përplasjes mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private, një qytetar u tërhoq zvarrë me forcë drejt zonës së rezervuar për rojet.
Sipas Policisë së Shtetit, Biba dyshohet se ka goditur me grusht shtetasin me iniciale E.S., ndërsa më pas, në bashkëpunim me dy punonjës të tjerë të kompanisë, e kanë larguar me forcë protestuesin nga zona e konfliktit, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.
Përplasja në Zvërnec solli reagime të forta publike dhe u pasua nga një valë protestash që vijojnë ende. Pas raportimeve kontradiktore mbi menaxhimin e situatës, pati edhe masa në radhët e Policisë së Vlorës, ku drejtori i këtij institucioni Elidon Çela u pezullua nga detyra. Ndërkohë që kompanisë “Major Security” ju pezullua licensa.
