Djemtë e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës kanë mundur të nxjerrin pasditen e djeshme trupin e Erkin likës nga kanionet e lumit Mat, kur ai kishte mbetur i pajetë prej dy ditësh. Aktivisti dhe speleologu i njohur, rrëshqiti aksidentalisht në kanion dhe rrjedha e fuqishme e ujit e mori me vete.
Pas thirrjes për ndihmë nga kolegët në Shqipëri, më 13–14.07.2026, një skuadër e Shërbimit të Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK) mori pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit në kanionin e Lumit Mat, në afërsi të Urës së Vashës, për kërkimin e trupit të kolegut dhe shokut Erkin Lika.
Më 12 korrik Erkini, së bashku me shokët e tij, ishte duke zhvilluar një aktivitet kanjoningu. Gjatë aktivitetit ai rrëshqiti aksidentalisht dhe u rrëmbye nga rrjedha e fuqishme e Lumit Mat, duke u zhdukur nga vendi i ngjarjes.
ShKShMK, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë dhe Shërbimi i Kërkim - Shpëtimit Malor i Shqipërisë, planifikoi dhe nisi kërkimet në disa lokacione pranë vendit të aksidentit, të cilat konsideroheshin pika me probabilitet të lartë.
Për shkak të konfiguracionit jashtëzakonisht të vështirë të kanionit, me vorbulla të fuqishme, kanale të shumta dhe guva nënujore, operacioni paraqiti një shkallë shumë të lartë kompleksiteti.
Kërkimi kërkoi planifikim të detajuar, vlerësim të vazhdueshëm të rrezikut dhe menaxhim profesional të operacionit deri në momentin e gjetjes dhe evakuimit të trupit. Në këtë operacion morën pjesë dhe ofruan mbështetje logjistike Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, AKMC, Bashkia Klos, si dhe banorë e zonës.
I gjithë operacioni, nga planifikimi deri te lokalizimi dhe evakuimi i trupit, u drejtua nga ekipet e shpëtimit malor në bashkëpunim të plotë me të gjitha institucionet pjesëmarrëse. Siç shihet edhe nga fotografitë, djemtë e shërbimeve të kërkimit janë varur mbi shkëmbinj dhe për tre ditë me radhë kërkuan Erkinin, derisa fatkeqësisht e gjetën të pajetë.
"I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të të ndjerit Erkin Lika. Ai do të kujtohet si një bjeshkatar dhe shpëtues malor me moral e etikë të lartë, i respektuar dhe i dashur nga i gjithë komuniteti i alpinizmit dhe shpëtimit malor.
Erkini ishte gjithmonë i gatshëm të ndihmonte të tjerët dhe të rrezikonte për të shpëtuar jetë njerëzish. Kontributi dhe kujtimi i tij do të mbeten përherë pjesë e komunitetit tonë", thuhet në mesazhin e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.
Të shumta kanë qenë reagimet edhe në rrjetet sociale, nga përfaqësues të institucioneve, zyrtarë të shtetit, shërbimi zjarrfikës, apo edhe organizata të ndryshme, me të cilat Erkin Lika bashkohej vazhdimisht, sa herë kishte raste për të cialt kërkohej ndihmë.
Ai është angazhuar me shërbimin zjarrfikës dhe në dhjetëra raste, në operacione kërkim-shpëtimi në male, rrjedha lumore e kanione.
