Policia e Lezhës ka nisur kontrollet për monitorimin e nivelit të zhurmës në zonën turistike të Shëngjinit, me synim garantimin e respektimit të normave të përcaktuara me ligj.
Sipas njoftimit të policisë, matjet e kryera deri tani kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.
Në kuadër të kontrolleve, efektivët e policisë kanë përdorur matës të zhurmës për të testuar ambiente dhe subjekte, si në hapësira të hapura ashtu edhe në ambiente të mbyllura, me qëllim verifikimin e respektimit të nivelit maksimal të lejuar të zhurmës.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Lezhës, kontrolle për nivelin e zhurmave në zonën turistike të Shëngjinit
Në vijim të masave sensibilizuese, Policia ka organizuar takime informuese me persona fizikë dhe administratorë subjektesh, veprimtaria e të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika, kryesisht në zonat turistike.
Njëkohësisht, ka nisur zbatimi i detyrave të parashikuara në Planin e Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror. Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, gjatë ditëve të fundit, bazuar në hartëzimin e zonave me ndotje akustike, kanë zhvilluar kontrolle të vazhdueshme në terren.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, me matës të zhurmës janë testuar ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonën turistike të Shëngjinit, për të verifikuar respektimin e nivelit kufi të lejuar të zhurmës, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.
Matjet e kryera, në përputhje me procedurën standarde të parashikuar për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.
Paralelisht me matjen e nivelit të zhurmës, strukturat e Policisë kanë kontrolluar edhe respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona ose qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Policia e Lezhës mbetet e angazhuar për garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët, duke vijuar kontrollet dhe monitorimin gjatë gjithë sezonit turistik.
Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast shkeljeje, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm dhe veprim në përputhje me ligjin.
