Pak javë pas operacionit të zhvilluar në fshatin Zallë të Fushë Krujës ka reaguar për herë të parë vetë i shumëkërkuari Ylli Zalla, i cili prej nëntorit të vitit të kaluar është në kërkim nga Policia e Shtetit pasi akuzohet se ka gisht në vrasjen e Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, atentat i ndodhur në nëntor të vitit të kaluar.
Sipas asaj që Policia bëri me dije më 23 qershor të këtij viti, pavarësisht se forcat RENEA mbërritën në banesën e këtij shtetasi, ky i fundit nuk u gjet dhe lidhur me këtë ngjarje u arrestua një 55-vjeçar i cili dyshohej se e kishte njoftuar Zallën për praninë e forcave të rendit dhe e kishte ndihmuar të largohej.
Ndërkohë në një intervistë për gazetarin Spartak Koka, Ylli Zalla ka dhënë versionin e tij për atë që ndodhi gjatë operacionit, duke pretenduar se ka qenë objekt i një atentati dhe jo i një procedure të zakonshme arrestimi.
Sipas tij më 22 qershor 2026 ndodhej në oborrin e banesës së tij së bashku me 55-vjeçarin, mikun e tij, duke pirë kafe, ndërkohë që pa një person që iu afrua portës së tij dhe dëgjoi vetëm thirrjen “asnjë lëvizje”.
Zalla thotë se në ato çaste mendoi se kishte të bënte me persona të armatosur apo grupe kriminale dhe nga frika u largua zbathur nga pjesa e pasme e banesës.
“Ai nga larg tha: "Asnjë lëvizje". Kam ikur zbathur, kam dalë nga mbrapa se kisha frikë. Ai po vinte, ishte vetëm. Në momentin që unë kam dalë këtu, kishte njerëz këtej nga ana tjetër dhe kanë qëlluar me armë. Unë jam rrëzuar dhe kam ikur barkas. Ata kanë qëndruar me orë të tëra, pastaj të kontrollonin këtu me mua. Janë plumbat edhe këtu”, ka thënë ai përballë Kokës, ndërkohë që ia ka ilustruar dhe me lëvizje dhe i ka treguar nga afër shenjat e plumbave.
Ndër të tjera, i shumëkërkuari i policisë ka hedhur akuza të forta ndaj Policisë dhe konkretisht ndaj shefit të Komisariatit, Elton Shahini, duke pretenduar se ka pasur bashkëpunim me persona të tjerë për eliminimin e tij.
“Ka qëlluar shefi i Komisariatit, Elton Shahini, në bashkëpunim me bandat apo Operacionalen, e di ai. Ai e di, nuk ka mundësi. Elton Shahini e di shumë mirë si isha unë këtu. Unë isha gati të bëja burgun, se vetë më kanë lënë vetëm, më kanë nxjerrë dhe do më fusin. Ika se nuk kujtova se ishte shteti. Nëse do të thoshte "Policia e Shtetit", unë do t'i kisha ngritur duart dhe do të isha dorëzuar. Kanë pasur qëllim të më vrisnin. Burime private nga policia e tyre, i kam të sigurta. Ndaj policisë nuk kam qëlluar kurrë. Ata kanë thënë që kam qëlluar, por nuk kanë firmosur”, ka thënë ai ndër të tjera.
Pjesë nga fjala e Zallës:
Më 22 qershor 2026 unë kam qenë këtu me një shokun tim, i ulur duke pirë kafe këtu jashtë. Më datën 22 unë kam qenë këtu i ulur me një mikun tim, telefonin e kisha lënë këtu. Vetëm kur del njëri aty me elektrik te porta, del aty dhe thotë: "Asnjë lëvizje", dhe unë u ngrita. Thashë: "Pa lë bandat", porta ishte hapur. Ai nga larg tha: "Asnjë lëvizje". Kam ikur zbathur, kam dalë nga mbrapa se kisha frikë. Ai po vinte, ishte vetëm. Në momentin që unë kam dalë këtu, kishte njerëz këtej nga ana tjetër dhe kanë qëlluar me armë. Unë jam rrëzuar dhe kam ikur barkas. Ata kanë qëndruar me orë të tëra, pastaj të kontrollonin këtu me mua. Janë plumbat edhe këtu.
Kisha frikë se nuk ishte policia. Thashë mos janë bandat, se policia duhet të vinte ditën: "Zotëri, ju jeni i arrestuar". Shokun tim e kanë mbajtur lidhur këtu, pastaj ka ardhur edhe vëllai im. Erdhi vëllai bashkë me shokun e tij, i kanë mbajtur këtu. Unë isha te tuneli duke i parë, nuk ika pasi të kuptoja ishin bandat apo policia. Nuk kanë thënë fare "Policia", pastaj më vonë ka ardhur RENEA. Nuk ka qëlluar RENEA, ka qëlluar.
Ka qëlluar shefi i Komisariatit, Elton Shahini, në bashkëpunim me bandat apo Operacionalen, e di ai. Ai e di, nuk ka mundësi. Elton Shahini e di shumë mirë si isha unë këtu. Unë isha gati të bëja burgun, se vetë më kanë lënë vetëm, më kanë nxjerrë dhe do më fusin. Ika se nuk kujtova se ishte shteti. Nëse do të thoshte "Policia e Shtetit", unë do t'i kisha ngritur duart dhe do të isha dorëzuar. Kanë pasur qëllim të më vrisnin. Burime private nga policia e tyre, i kam të sigurta. Ndaj policisë nuk kam qëlluar kurrë. Ata kanë thënë që kam qëlluar, por nuk kanë firmosur.
Çfarë deklaroi Policia në 23 qershor të 2026:
DVP Tiranë doli me një komunikatë zyrtare dhe sqaroi se gjatë ndërhyrjes në fshatin Zallë të Krujës, i shumëkërkuari Ylli Zalla ndodhej në shtëpinë e tij, por një nga banorët e fshatit e kishte njoftuar të largohej sapo ka parë makinat e Policisë.
"Gjatë operacionit në banesën e shtetasit Ylli Zalla në fshatin Zallë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë arrestuar shtetasin F. A., 55 vjeç, banues në të njëjtin fshat, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka njoftuar dhe ka ndihmuar të shumëkërkuarin, për t’u larguar nga banesa.
Në banesën e të shumëkërkuarit Ylli Zalla, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, një celular që dyshohet se shtetasi Y. Z. nuk mundi ta merrte me vete, si dhe në vijim të kontrollit gjetën municion luftarak dhe një detektor frekuencash", njoftoi Policia.

