Këtë të martë, në Bruksel do të zhvillohet Konferenca e IX Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian, ku vendi ynë do të mbyllë tre kapitujt e parë në kuadër të procesit të integrimit.
Delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama do të ulet sot në konferencën e nëntë ndërqeveritare me Brukselin për të mbyllur kapitujt 25, 26 dhe 30.
Këta kapituj lidhen me shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si edhe marrëdhëniet me jashtë, fusha në të cilat Shqipëria konsiderohet e njësuar me standardet e BE.
Sipas axhendës, konferenca do të nisë në orën 19:00, ndërsa më pas do të formalizohet mbyllja e tre kapitujve. Në orën 20:00 do të zhvillohet një konferencë për shtyp lidhur me ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Mbyllja e këtyre 3 kapitujve vjen pasi Shqipëria kaloi me sukses një prej fazave më të rëndësishme, atë të piketave të ndërmjetme, të ashtuquajturin IBAR, mes shumë diskutimesh dhe polemikash për përmbushjen e diskutimeve.
Pas mbylljes së tre kapitujve të parë, Shqipëria do të duhet të plotësojë kushtet edhe për mbylljen e 30 kapitujve të mbetur, në mënyrë që të arrijë objektivin e dakordësuar me BE-në për përfundimin e procesit teknik brenda vitit 2027-të.
Më pas vendimi do të jetë plotësisht politik dhe rruga e Shqipërisë drejt BE-së, do të duhet të kalojë nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të Unionit.
