Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati i ftuar në emisionin "Now" me Erla Mëhillin, ka folur për detaje të reja në lidhje më thirrjet nga grupe të caktuara në platforma sociale për të sulmuar virtualisht bizneset e ndryshme apo njerëzit e lidhur me bizneset por pa kursyer edhe sipërmarrës të tjerë të pavarur.
Ai shtoi se individë të caktuar kanë bërë thirrje gjithashtu që të sabotohej koncerti i datës 11 korrik dhe të bllokohej rruga e këngëtarit Kanye West.
"Policia ka sistemet e saj, mënyrën e saj të operimit, hetimit e të tjerë me radhë, ku ka rezultuar që në disa kanale komunikimi, që me sa duket policia nëpërmjet strukturave të saj ka arritur të sigurojë informacion, ka rezultuar që me koncertin e Kanye West, pati komunikime nga organizatorë apo personazhe të caktuar, jo të gjithë duhet të theksojmë, nga individë të caktuar brenda protestës të cilët kanë marrë rolin e protagonizmit, të cilët bënin thirrje që të sabotohej, jo të bojkotohej. Madje ka patur thirrje në kanale Telegram e të tjerë që unë i kam parë, madje disa janë bërë dhe publike, që t’i bllokohej rruga këngëtarit, të kishte situata nga më të ndryshmet, të mos lejoheshin qoftë shqiptarët apo të huajt të shkonin në koncertin. Dhe në këto kanale, policia po ashtu ka administruar të dhëna që individë të caktuar kanë bërë thirrje që të sulmohen këto biznese, kryesisht jo vetëm individë të cilët ndoshta i bëjnë reklamë apo marketing, influencerët në këtë rast, në fushën e biznesit, por edhe individë të tjerë të caktuar”, tha Ferhati.
