Po mbahet sot në Tiranë protesta e 44-t kundër Qeverisë dhe kastës së vjetër politike. Protestuesit u grumbulluan në sheshin "Skënderbej" dhe vijuan marshimin e tyre drejtë bulevardit "Dëshmorët e Kombit".
Ata do të qëndrojnë përpara Kryeministrisë ku do të mbajnë edhe fjalimet e tyre sikundër kanë bërë për 44 ditë rresht.
Qytetarët me pankarta në duar dhe me flamuj kombëtarë shprehin pakënaqësinë e tyre me anë të thirrjeve kundër sistemit. Protesta nisi fillimisht për të kundërshtuar investimin që ishte planifikuar në Zvërnec të Vlorës dhe më pas qytetarë të shumtë u bashkuan duke parashtruar pakënaqësitë e tyre.
Gjatë marshimit të ditës së sotme një grua invalide ka treguar për News 24 për gjendjen e saj të varfërisë ekstreme. Ajo tha se jeton me 90 mijë lekë të vjetra në muaj pension. Ajo tregoi se i kanë prerë energjinë elektrike dhe se është e sëmurë dhe nuk mund të paguaj as ilaçet.
“Jam invalide dhe më kanë prerë dritat! Jam pa drita dhe ku thërret qameti! Më kanë vdekur prindërit, jam e vetme fare, jam invalide me 90 mijë lekë (të vjetra) pension. Si do t’i marr ilaçet unë? Unë nuk kam as lavatriçe, as frigorifer, asgjë. Jam e vetme komplet. Jam invalide pune, të rri pa drita unë? Jam shumë e sëmurë, kam qenë dy javë shtrirë. Më kanë ndihmuar komshitë. Çfarë do bëj unë me aq lekë?” deklaroi ajo e përlotur.
